Politike

Deputetët demokratë, apel nga Shkodra: Rama nuk mund të qeverisë me krimin dhe bandat

Gazeta Si - Deputetët demokrtë, pjesëmarrës në marshimin-protestë në Shkodër pas vrasjes së 3 personave, kanë akuzuar kryeministrin Rama se nuk mund të qeverisë me krimin dhe bandat.

Në mbyllje të protestës, Luçiano Boçi deklaroi se Rama nuk mund të mbajë pushtetin me anë të krimit dhe kërkoi qeveri teknike, lirimin e Berishës dhe kthimin e Shkodrës e Shqipërisë qytetarëve.

“Domosdoshmëri për qeveri teknike. Sot e kërkojnë qytetarët e Shqipërisë e kërkojnë qytetarët e Shkodrës. Nuk mundet që Rama ta përsërisë pushtetin me krim. Zgjedhjet në këtë bashki i mori me anë të krimit, por nuk do ta lejojmë që të përsërisë sundimin tij me anë të krimit. Ne kërkojmë qeveri teknike, liri liderit të opozitës, pushim i luftës ndaj opozitës dhe kthimin e Shkodrës dhe Shqipërisë qytetarëve dhe jo krimit. Qytetaria nuk lejon që Rama ta qeverisë këtë vend me bandat e tij”.

Flamur Noka akuzoi policinë dhe qeverinë për lidhje me krimin edhe u bëri thirrje qytetarëve të ngrihet kundër regjimit.

“Nuk mundet Shqipëria, që ka hapur kapitujt e negociatave dhe është anëtare e NATO-s, të jetë vendi i krimit të organizuar, djepi i mafies. Shqipëria duhet të jetë një Shqipëri tjetër, një Shqipëri normale. Prandaj jemi këtu, për t’i thënë stop. Plani është marshim, protestë marshim kundër krimit politik, kundër krimit me fytyrë shtetërore”, tha Noka.

Edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi tha se qytetarët duhet të protestojnë kundër lidhjeve të politikës me krimin. Sipas tij ngjarja e 3 ditëve më parë në Shkodër mund të ishte parandaluar.

“Ky është një organizim qytetar dhe secili prej nesh pavarësisht pozicioneve politike që kemi, jemi këtu si qytetar për të shprehur mosdakordësinë, mosnënshtrimin tonë ndaj pushtetit që krimi i organizuar ka marrë në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë. Ngjarja ishte e paralajmëruar, mund të ishte parandaluar. Është një ngjarje e rëndë që krijon terror për qytetarët. Pushteti që krimi i organizuar ka marrë në Shkodër për shkak të lidhjeve të forta me politikën dhe qeverisjen, është një fenomen që duhet të kundërshtohet” u shpreh Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë