Politike

Opozita, marshim-protestë në Shkodër pas masakrës me 3 viktima: Qytetërimi është më i fortë se krimi (foto)

Gazeta Si - Për rreth një orë e gjysmë, opozita ka zhvilluar marshimin-protestë në Shkodër pas masakrës me 3 viktima, ku dyshohet se shkak ka qenë një përplasje mes grupeve kriminale në qytet. Dhjetëra qytetarë u nisën nga bashkia e qytetit, duke marshuar në Pedonale në shenjë sensibilizimi.

“Qytetnimi asht ma i fortë se krimi. Po na vrasin, na duhet reagimi”, shkruhet në pankartën e madhe që protestuesit mbajnë në duar.

Mbështetës të opozitës dhe qytetarë janë mbledhur para bashkisë së Shkodrës, në atë që u quajt si marshim-solidariteti kundër kriminalitetit.

Marshimi në heshtje në fillim nisi në sheshin para bashkisë dhe më pas vijoi përgjatë pedonales “Kol Idromeno”, për t’u kthyer sërish në sheshin përpara bashkisë.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së tha se kjo në Shkodër është më evidente për shkak edhe të lidhjeve mes krimit dhe politikës.

“Ngjarja që ndodhi pak ditë më parë krijon terror. Sot jemi në një tubim paqësor për të kundërshtuar pushtetin që krimi i organizuar të marrë, jo vetëm në Shkodër, por kudo në Shqipëri. Secili prej nesh duhet të protestojë”, tha Bardhi.

Protestës i janë bashkuar deputetët e PD-së si Dhurata Çuli, Edmond Spaho, Ramadan Lika, Lindita Metaliaj etj.

Kjo është protesta e tretë e opozitës, si pjesë e aksionit opozitar të “mosbindjes civile”, që vjen pas atentatit të fundit me 3 viktima në Shkodër.

Protesta u mbajt pas ngjarjes së para 3 ditëve, kur pasditen e së mërkurës në Dobraç të Shkodrës, në rrugën kryesore që lidh qytetin me Malësinë e Madhe, një automjet i ka prerë rrugën një “Mercedes”-i duke qëlluar me breshëri kallashnikovi mbi të.

Viktimat janë Hamza Lici që vdiq në vendin e ngjarjes, Arlind Bushati i cili nërroi jetë në spital dhe Flutura Basha e cila ishte një kalimtare e rastit në atë rrugë, teksa ndodhej me bashkëshortin e saj në një motor.

Ndërkohë, ky i fundit, identifikuar si Bashkim Basha është plagosuri rëndë. Në makinën e viktimava shofer ka qenë Hamza Lici dhe pasagjer Arlind Bushati. Lici ka humbur kontrollin e makinës duke marrë para dhe motorin në të cilin ndodhej çifti Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë