Ngjarje

‘S’jemi informuar’/ Komuniteti Mysliman s’përfillet në përurimin e Xhamisë së Namazgjasë nga Erdogan. A është caktuar edhe një imam turk?

Erdogan inauguron Xhaminë e Namazgjasë, Komuniteti Mysliman: Nuk jemi informuar për asgjë

Nga Gazeta Si - Xhamia e Namazgjasë do të inaugurohet më 10 tetor por pa dijeninë e Komunitetit Mysliman në Shqipëri.

Me rastin e vizitës së tij në Shqipëri, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan do të inaugurojë edhe Xhaminë e Namazgjasë me anë të një ceremonie për të cilën KMSH nuk ka ende një lajmërim zyrtar.

“Ne komunikimet i mbajmë me protokoll, sepse kështu kemi funksionuar gjithmonë dhe deri më tani nuk kemi asnjë njoftim zyrtar”, thonë për Gazetasi.al burime nga KMSH.

Burimet tregojnë gjithashtu se në rrugë jo zyrtare, janë informuar se do të ketë inaugurim, edhe pse ende nuk dihet më shumë as për ceremoninë e as për Imamin që do të drejtojë Xhaminë.

Ditën e djeshme, ishte Imami turk Enes Bastur i cili ka bërë me dije se është caktuar Imam i Xhamisë së Namazgjasë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale ai ka njoftuar se i është besuar drejtimi i Xhamisë Qendrore Namazgja në Tiranë.

“Të dashur miq, me udhëzimet e Drejtorisë tonë të çështjeve Fetare më caktuan te faltorja e madhe e Xhamisë qendrore Namazgja në Tiranë”, shkruan ai.

Ky lajm mohohet nga burimet pranë KMSH, të cilët thonë se Imami dhe stafi emërohen vetëm nga KMSH dhe ky ka qenë thjesht një status i dikujt nga Turqia që tashmë edhe e ka fshirë. Ndërkohë mbetet e paqartë edhe nga ana e KMSH se pse një person duhej të deklarohej si drejtues i Xhamisë së Namazgjasë 3 ditë para inaugurimit dhe nëse është e vërtetë, çfarë do të bëjë KMSH?

“Ne njoftohemi nga protokolli turk dhe deri më tani nuk na është thënë asgjë për një drejtues turk”.

Pavarësisht se është lënë mënjanë edhe pse ceremonia do të mbahet për dy ditë, KMSH e ‘justifikon’ këtë duke thënë se vizitat në këtë nivel mbahen sekrete për çështje sigurie.

“Kam përshtypjen se kjo është. Mund të njoftohemi dhe në momentet e fundit”, thanë burimet për Gazetasi.al.

Kur nisi puna me ndërtimin e Xhamisë, në maj të 2015, ishte i pranishëm edhe Erdogan ndërkohë që u tha se do të ishte gati në më pak se 3 vite dhe vetë presidenti turk do të kthehej për ta inauguruar.

Por prej atëherë, Xhamia ka qenë peng.

Edhe pse ka përfunduar prej vitesh, Xhamia e Namazgjasë vazhdon të qëndrojë e mbyllur për shkak të përplasjes mes Erdogan dhe gulenistëve dhe kushteve që ai ka vënë për dy drejtuesit e fundit të KMSH ( i akuzon si të lidhur me Gylen) ndërsa besimtarët falen në sheshin kryesor të Tiranës gjatë festave fetare.

Në 2016 u fol për një grusht shteti në Turqi dhe plasën me mijëra arrestime. Erdogan akuzoi armikun e tij Fetulla Gylen si autor dhe shpalli FETO si organizatë terroriste. Të gjitha institucionet që financoheshin nga Gylen u mbyllën dhe u arrestuan të gjithë mbështetësit. Ai kërkoi që të merren masa dhe në shtetet e tjera ku ata qëndrojnë, ndër to edhe në Shqipëri.

Duke qenë se Xhamia është ndërtuar me fonde nga komuniteti turk, Erdogan ka vendosur kushtin që të merren masa kundër lëvizjes së Gylen.

KMSH është i bazuar në vetë organizim dhe në vetëqeverisje dhe inaugurimi i xhamisë së madhe është një çështje që nuk e vendos qeveria e Shqipërisë sepse Xhamia e Madhe është ndërtuar me kontributet e Komitetit Mysliman turk dhe janë ata që në marrëveshje me komunitetin Mysliman shqiptar e vendosin se kur duhen hapur dyert, por kjo, të paktën deri më tani, nuk po ndodh!


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë