Sabina Veizaj-Një grup pëllumbash dhe një grusht i vogël studentësh shquheshin tëposhtë shkallëve të Korpusit Qendror në orën 8 e 30 të mëngjesit të së shtunës, orë në të cilën studentët e Universiteteve Publike kishin paralajmëruar nisjen e protestës.

Për rreth 30-40 minuta grushti i vogël i studentëve nuk po hapej dhe mendova se ata do të ishin tërhequr. U përpoqa të flisja me disa syresh për të kuptuar situatën.
Një grup prej tyre, të Politeknikut u shprehën dyshues rreth situatës. Për ta, partitë politike po përpiqen të kontrollojnë protestën dhe ta përdorin për interesat e tyre. “Unë vetëm vetes i besoj. Jam dyshues për të gjithë që na afrohen”- thotë Albi Arapi, student në vitin e tretë në degën Inxhinieri Informatike. Albi më shpjegon se nuk i ka organizuar njeri. Gjithçka ka nisur nga një lajmërim në Whatsapp. “ Unë jam një student i ndërgjegjshëm. Përderisa kauza është e drejtë dhe e përqafuar nga gjithkush, nuk ka patur nevojë për organizim. Ne nuk kemi kërkuar dorëheqjen e qeverisë apo të Ministres së Arsimit. Nuk është ky qëllimi ynë. Ne jemi studentë. Jemi të ndërgjegjshëm që edhe qeveria pasardhëse nuk do të jetë më e mirë se sa kjo që kemi. Por që si studentë duhet të jemi të ndërgjegjshëm për të protestuar për të drejtat tona. Janë bërë 4 kërkesa, dhe një është miratuar. Unë jam i bindur që do të realizohen të gjitha. Por turma do të vazhdojë të protestojë akoma. Turma është e kontrolluar, e di. Jam nga ata studentë që kam dashur të marr fjalën edhe tek korpusi, edhe tek Ministria. Në momentin që u mundova të lexoj fjalën e Mentor Kikisë, nuk më lejuan ta lexoj sepse prekeshin, qoftë LSI, PS dhe PD.”- shpjegon Albi për gazetën “SI”
Ai më sqaron më tej se, problemi nuk është vetëm tek tarifat, por tek të gjitha kushtet.
“Ne studiojmë në kushte mjerane. Gjithë ky politeknik që ju shikoni është fasadë. Po të hysh brenda është është i rrënuar komplet. Fakulteti i Teknologji Informacionit është shumë mirë. Por vetëm ai. Megjithatë njeriu nuk duhet të kënaqet. Kur është mirë, kërkon edhe më mirë. Unë do të vazhdoj të protestoj, por sot jam për jo protestë, sepse e di që do të përdoret politikisht.”
Më pas grupit të vogël të studentëve iu bashkohen studentë të tjerë e më pas vjen ish Zv. Ministri i arsimit Taulant Muka që këshillohet me studentët.
Ai më thotë se të hënën filloi në Bern të Zvicrës ditën e parë të punës dhe sapo mësoi për protestën, preu biletën për t’iu bashkuar. “Mbi të gjitha është emocionuese dhe shpresëdhënëse. Janë plot dëshirë, energji”, -thotë Muka, por ai proteston në heshtje dhe nuk preferon të përzihet.
Studentët nuk qëndrojnë vetëm tek kundërshtimi i tarifës së lartë. Ata thonë se “kemi një mal me probleme, si në aspektin e mësimdhënie, po ashtu edhe në aspektin e infrastrukturës në fakultete dhe konvikte”.
Genti është student nga pjesa jugore e Shqipërisë. Ka mbaruar bachelorin për Gjeodezi tek Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, por nuk është diplomuar ende për shkak të disa provimeve të prapambetur.
“Kryej dy punë aktualisht, punoj asistent avokat dhe përkthyes paradite. Merrem me pjesën e përpilimit të dokumenteve, kërkesave në gjykata dhe përkthimit për klientët e huaj. Pasdite jam në hotel, punoj në turnin e dytë, ndonjëherë dhe të tretin. Përpiqem të çoj përpara shkollën, të mbaj veten. Jetoj në shtëpi me qira me time motër. Familja ka 3 fëmijë studentë. Njëri ka mbaruar, por nuk është diplomuar ende për shkak të një provimi të mbartur. Çdo fakultet ka problemet e veta, disa me pedagogët, disa për arsye të tjera.”- më thotë Genti.
Prindërit e tij kanë një dyqan në të cilin punon e ëma. I ati është i papunë. “Kanë qenë me borxhe dhe kursimet e shumë shumë viteve, duke shtrënguar rripin sa më shumë. Ne studentët dje dhe ditët e para hodhëm vezë drejt Ministrisë, por unë po mendoja të hidhja makarona. Sepse gjatë pesë viteve të fundit që kam qenë në Tiranë, kryesisht kam ngrënë vezë dhe makarona. Dieta e studentit. Janë më të lirat dhe ato që gatuhen më kollaj. Profesor Fuga tha mirë; janë të kequshqyer studentët, të keqveshur sepse këto janë mundësitë. Çdo njeri i shtrin këmbët sa ka jorganin.”
Genti më shpjegon se problemi më i madh në fakultetin e tij janë pedagogët dhe plagjiatura. “Kemi probleme me pedagogët, me mësimdhënien. Ka mbi 15 sezone që studentët nuk kanë marrë një provim të caktuar. Nëqoftëse do të pyesni, të gjithë e dinë tek Gjeodezia kush e jep atë lëndë. Ka edhe pedagogë të tjerë që përveçse nuk shpjegojnë, thonë që ju do të më merrni punën. Unë e kalova me 5, thotë, e ai sot më merr tenderin. Ka 40 vetë në kompaninë e vetë dhe vëllain e vet që e ka aktor. Ka bërë edhe plagjaturë. Bëhet fjalë për pedagog Etem Bejkon. Librin që ka bërë për vitin e parë Gjeodezia e Përgjithshme, është kopje e librit Topografia e Prof Ylli Kolonja. Përveçse ka qenë tek Universiteti ynë, ka qenë përgjegjës i departamentit i Topografisë tek Albanian University. Libri është kopjuar me pikë edhe presje, përveçse janë shtuar disa figura dhe dy kapituj më tepër. Abuzimet janë të shumta, problemet e studentëve janë të mëdha. Nuk japin provimet për arsye tekash. Ky pedagog që mban peng për 15 vjet, ka 8 sezone që nuk ka dhënë asgjë nga libri. Dhe kur i thua ku është ky ushtrim, thotë që ushtrimet e provimit nuk janë në libër. Është tmerri i inxhinierisë së ndërtimit dhe gjeodezisë. “- më sqaron Genti.

Ai vazhdon të më shpjegojë se Gjeodezia ka pak studentë edhe pse ka shumë kërkesë tregu. Nga 100 veta që ka qenë kuota 5 vite më parë, aktualisht pranohen 50 studentë. “Vazhdojnë të ngelin gjysmën çdo vit. Për një lëndë që nuk i hyn në punë as dreqit, metodë ruse. Lëndë teorike. Ndërkohë që familja shpreson që ne të diplomohemi dhe mbajmë veten, ne jemi peng e të paaftëve. Pa diplomë kaq mund të bëjmë. Pedagogët, dekani e dinë shumë mirë, sepse dhe ai është i Gjeodezisë. Nuk ka studentë që të mos ketë vuajtur nga këta.”
Genti këmbëngulë që protesta do të vazhdojë derisa të marrin ato që u takojnë.
“Ne po luftojmë për të mirën e përbashkët. Ne do dalim mbi ndasitë tona.”
Studentët shtohen në numër dhe ata që marrin megafonin për të drejtuar vendosin të marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit, por jo përpara Kryeministrisë. Itenerari është zona e Ish Bllokut. Ndjehet pak frikë mes studentëve; duan të mbrojnë protestën e tyre dhe ta mbajnë larg nga politika. Ndjehet sikur po mbrojnë diçka materiale nga një rrezik i madh vjedhjeje.
Aty shfaqen efektivët e policisë dhe studentët lajmërojnë që protesta ka qenë, është dhe do të vijojë paqësore. “Kemi shumë respekt për policët, ata janë prindërit tanë, të afërmit tanë”. Studentët nisen drejt Ministrisë së Arsimit përmes unazës së Ish Bllokut duke iu kërkuar njerëzve gjatë rrugës tu bashkohen. “Çohuni nga kafja, bashkohuni me ne”- ishte njëra prej thirrjeve, ndërsa makina dhe dy motorrë policie i ndiqnin qetësisht nga mbrapa.
Shumë të rinj nëpër lokale u ngritën më këmbë duke i duartrokitur, po ashtu edhe të moshuar gjatë rrugës –“jemi me ju sepse jeni e ardhmja”. Por kishte edhe të tjerë që i kundërshtonin “shkoni në mësim, boll mbetët rrugëve”.
Studentët e universiteteve publike u shtuan tek mbërritën përpara Ministrisë së Arsimit.
“Ne nuk kemi organizatorë. Nëse shikoni disa grupe me atopolantë, është sepse duam shumë zëra që kur të lodhet dikush, të nisë dikush tjetër. Askush nuk është organizator. Flasin ata që janë më orator dhe kanë fuqi.” Më thonë dy studente, njëra për mjekësi dhe tjetra për gazetari”
Bashkim Murrizi është një ish ushtarak, invalid. “Kam dy mbesa në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe Shkencave Sociale. Protesta duhet të jetë e fuqishme dhe pa interesa partiake. Të mos i përçajnë politikanët.”- më thotë ai tek marshon drejt Ministrisë së Arsimit në krahë të studentëve.

Kurse Ëngjëllushe Tahiraj një zonjë në pension thotë se ka katër ditë që vjen çdo ditë në protestë. “Unë erdha se mu kujtua dhjetori i 90-ës. Ndjej shumë nostalgji dhe kam shumë besim tek të rinjtë. Vetëm këta mund të bëjnë gjithçka, ndryshe le të mbajmë mirë atë të gjatin. Për ne çdo gjë ka mbaruar këtu. Ç’të bëjmë që u plakëm se do të kishim ikur.”- thotë Ëngjëllushja.
Bukurie Abazi është një pensioniste 64 vjeçare. Duke e krahasuar Shqipërinë me Kabulin, thotë se është e vendosur të mbështesë studentët, sepse “unë jam studente ngelëse. Nuk e kam mbaruar universitetin sepse nuk kisha lekë.

As të vishesha, sepse nuk kishte as GAB. Unë u bëra rrobaqepëse dhe tani jam në pension. Fëmijët e mi e kanë mbaruar shkollën, por kam dy nipër që do të shkojnë në shkollë të lartë dhe për ata po dal. Çdo ditë kam dal dhe do të dal për çdo protestë të drejtë.”
Tek përpiqem të flas me një nga studentët që është pranë atyre që flasin me atopolant, ajo nuk do të prononcohet. “Nuk flas sepse kam frikë mos gaboj. Nuk na ka organizuar njeri. Jemi organizator të gjithë bashkë për të drejtat tona”- më thotë vajza me xhup portokalli e tensionuar, e vendosur të mos më shpjegojë më gjatë dhe të ruaj protestën si gjënë më të shenjtë që mund të ketë.
Mandej takoj Beqir Topuzin. Ai është një prind që e ka fëmijën maturant. Një studente e ardhshme. “Bravo ju qoftë, duhet të lëvizin dhe ne të jemi në mbështetje të tyre, jo vetëm prindërit, por i gjithë populli.
Është një kauzë për të cilën kanë të drejtë, studentët kanë gjithmonë të drejtë. Një qeveri që nuk plotëson kërkesat e studentëve, nuk di pse duhet të rri. Studentët nuk duhet të lihen kështu”- thotë Beqiri. Ai është një ish ushtarak i papunë. Edhe e shoqja e papunë gjithashtu.
Teksa protesta vazhdon me brohoritje dhe ekzaltim të herëpashershëm, me hedhje vezësh e fishekzjarrësh duke kërkuar arsim publik falas, përgjysmimin e tarifave, arsim cilësor dhe jo plagjiaturë, në Qytetin Studenti një grup tjetër gjimnazistësh ka qenë duke protestuar. Këtë ma thotë Ramazan Hima.
“Kam mbesën tek Asim Vokshi, gjimnaz. Kanë patur një takim tek Qyteti Studenti. Një grup tjetër. Unë i kam fëmijët të martuar. Jam bashkuar se është një kauz e drejtë, për tarifat e papërballueshme. Universitet publike të kenë tarifa kaq të larta?! Ai që nuk ka lekë mbetet i pashkolluar.” Ramazan Hima vjen nga Ferraj e Dajtit. Ai është shofer prej 40 vjetësh dhe fëmijët i ka me arsim të mesëm për shkak të pamundësië financiare.
Tek u qasem herë pas here studentëve për të kuptuar situatën, dëgjoj se ata kanë mësuar që banorët e Astirit do tu bashkohen protestës së tyre.
“ Kauza jonë nuk ka të bëjë me kauzën e tyre. Ne nuk duam të na bashkohen dhe të na prishin protestën. Nuk i pranojmë. Nëse vijnë këtë do tu themi paqësisht”- më thotë një student i mbështetur tek kangjellat e Ministrisë së Arsimit.
“Kemi lënë lesht për tu bërë kamarierë”, “ky nuk është shi, por lotët e Nikollës”, “çohu në kom se na ka ardh vakti, Sot flen o veç i ngrati, Vet jemi t’zot e këtij vendi, o dora e t’paaftit! Ka kush i del Zot Vatanit”- janë disa prej parrullave të tyre.
Ndërsa 200-300 m më tutje mbërrijnë banorët e Astirit. Një varg me efektivë policie rreshtohen si mur ndarës mes protestës së tyre dhe asaj të studentëve. Disa syresh prej këtyre të fundit u takuan me banorët e Astirit duke u shpjeguar që nuk kanë nevojë për mbështetjen e tyre sepse nuk duan të ngatërrojnë kauzën.
Banorët e Astirit u përpoqën të shpjegonin se ishin prindër të pakënaqur studentësh të vuajtur, por as kjo nuk i bëri studentët të emocionoheshin dhe sprapseshin për ti pranuar. Me qetësi studentët dhe banorët e Astirit u ndanë. Këta të fundit u larguan.
Ministrja Nikolla mandej mbërriti pranë institucionit që drejton me qëllim që të bisedonte me studnetët, të cilët nuk pranuan.
“Jam për Financë. Vij nga rrethet dhe jetoj në konvikt me dy goca të tjera. Kushtet e konviktit janë skandaloze. Dyshekët të vjetër dhe të pistë. Nuk ka ujë. Dushet gjatë javës hapen në orën 12.00 deri në 19.00. Kurse të shtunën 9.00 me 12.00 në drekë”- më thotë një studente e fakultetit ekonomik, të cilën e mbështet edhe kolegia e saj, që vazhdon po ashtu për financa duke shtuar: “Kam dashur të marr dyshekun nga shtëpia, por ishte mundim i madh”
Studentët shprehen të vendosur se do ta vazhdojnë protestën edhe në ditët në vazhdim. Ata thonë se do të vazhdojnë edhe sikur shiu të bjerë litarë. Nëse nuk marrin zgjidhje, ata thonë se do te hyjnë ne greve urie.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
































