Nga Megi Iskurti - Ndryshimet në ‘formacionin’ e diplomacisë së Bashkimit Europian duket se kanë lehtësuar Kosovën dhe sakaq kanë shqetësuar jo pak një pjesë të spektrit politik dhe institucional në Serbi.
Pas largimit të Josep Borrell si kryediplomat i BE-së, “frerët” e dialogut Kosovë-Serbi tani janë nën duart e Kaja Kallas, kryeministres estoneze e cila që në krye të herës ka qenë një mbështetëse e zëshme e Kosovës dhe poaq një kritike e Rusisë dhe lidhjeve të ngushta që Serbia ka me të.
‘Në listën e zezë të Rusisë’: A duhet të shqetësohet Serbia?
Ndonëse nuk duhet marrë apriori një presion më i madh i mundshëm ndaj shtetit serb, Gazeta Blic prej se emri i Kallas diskutohej jo-zyrtarisht në korridoret diplomatike të BE-së, ngriti pikëpyetjet nëse Serbia ka arsye për t’u shqetësuar.
“Kaja Kallas vjen nga Estonia, e cila u prek drejtpërdrejt nga lufta në Ukrainë. Nëse ajo emërohet si Përfaqësuese e Lartë, është realiste të pritet që të ketë presion më të madh ndaj Serbisë për t’u lidhur me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Europian, veçanërisht në kontekstin e krijimit të një fronti të përbashkët politik dhe diplomatik ndaj Rusisë, por edhe integrimin e mëtejshëm europian të Serbisë”, theksoi analisti Dragisha Mijaçiç.
E konsideruar si “Zonja e Hekurt” Kallas aktualisht është e kërkuar në Rusi për shkak të qëndrimeve të saj të ashpra ndaj politikave të shtetit rus dhe mbështetjes së vazhdueshme ndaj Ukrainës.
Ajo e ka ngjitur Estoninë lart në listën e vendeve që kanë ndihmuar Ukrainën për t’i bërë ballë konfliktit dhe aktualisht arsyeja se përse rezulton në listën e kërkimit të Ministrisë së Brendshme ruse është shkatërrimi i monumenteve të epokës sovjetike.
Estonia, bashkë me Letoninë dhe Lituaninë, kanë rrëzuar shumicën e monumenteve të kësaj periudhe, sidomos ato që përkujtojnë ushtarët sovjetikë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore.
Si përkrahëse e idesë që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian ajo ka ngritur disa herë shqetësimin se Rusia ka qëllim të stabilizojë rajonin dhe ka dënuar vendet që nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë.
Aktualisht, Serbia jo vetëm që nuk e ka sanksionuar shtetin Rus por presidenti serb Aleksander Vuçiç konsiderohet një mik i ngushtë me homologun e tij rus, Vladimir Putin.
‘Kosova dhe Estonia të kaluar të ngjashme historike’ dhe qëndrimet e ndryshme 'Kaja vs Borrell'
Ndonëse atëbotë kur u zgjodh kryediplomat Brukseli jepte garanci se ai do të ishte neutral dhe nuk do të ndikohej nga qëndrimi i shtetit të origjinës së tij, Borrell nuk shpëtoi pa qenë disa herë në ‘sitën’ e kritikave për këtë fakt.
Spanja e tij nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Nga ana tjetër, Kosova dhe Estonia ndër vite kanë patur marrëdhënie bilaterale të shkëlqyera.
Jo më larg se një vit më parë, pas një takimi me Kallas, kryeministri Albin Kurti u shpreh se Kosova dhe Estonia kanë të kaluar të ngjashme historike dhe se Kosova e shikon Estoninë si një model në shumë aspekte të shtetndërtimit.
Kallas ka patur jo pak takime me liderët e Kosovës vitet e fundit.
Në një takim me presidenten Vjosa Osmani në 2021-shin, ajo deklaroi se Estonia mbështet Kosovën drejt integrimeve europiane dhe që çelës për sukses janë “reformat, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe sigurimi i njohjeve të shtetësisë prej pesë vendeve të BE-së” - referencë për Sllovakinë, Qipron, Rumaninë, Greqinë dhe Spanjën.
Në të njëjtin takim me të, ajo përmendi edhe nevojën për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë me arsyetimin se “një Ballkan Perëndimor i sigurt është në interesin e të gjithë Europës.”
Ndërsa me Kurtin Kallas është takuar në 2022-shin dhe në 2023-shin ku emëruesi i përbashkët në dy takime ishin falenderimet për rreshtimin e Kosovës përkrah BE-së në sanksionimin e Rusisë.
Ndryshime në dialog? A do të jetë Kallas përgjegjëse për negociatat?
Me gjithë organizimin, ndërmjetësimin me tërësej të një sërë takimeve të nivelit të lartë dhe atyre në nivel kryenegociatorësh, sot kur mandati i tij është në përfundim, figura e Borrell, ashtu si në krye të herës, shikohet me skepticizëm.
Kosova ka deklaruar disa herë se nuk e barazon dot diplomatin europian me Bashkimin Europian dhe takimet e udhëhequra nga ai kanë rezultuar disa herë shterpë.
Megjithëkëtë, kur bie fjala për dialogun me Prishtinën, Bashkimi Europian do të vazhdojë të insistojë në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit të saj nga Ohri.
Në këtë aspekt zgjedhja e një emri të ri për pozicionin e Përfaqësuesit të Lartë nuk do të luajë menjëherë një rol të rëndësishëm në vazhdën e këtyre bisedimeve pas Kallas për momentin do të duhet të zbatojë me shumë konsekuencë gjithçka që është rënë dakord mes Beogradit dhe Prishtinës.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një nga kompetencat e përfaqësueses së lartë, por ende nuk dihet nëse Kallas do të jetë drejtpërdrejt përgjegjëse për negociatat, siç ishte rasti me Catherine Ashton dhe Federica Mogherinin apo do të vendoset një i dërguar tjetër special që do të zëvendësoje Miroslav Lajçakun.
Gjithsesi, nëse Kallas do të jetë në krye ajo mund t’i japë një frymëmarrje më të lehtësuar dialogut në diskutimet e ardhshme që pritet të mbahen në Bruksel.
Aktualisht ngërçi qëndron tek insistimi i Serbisë për themelimin e Asociacionit të cilin Kosova e refuzon dhe këmbëngulja e Kosovës që Serbia të njohë pavarësinë e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.