Gazeta Si - Ilir Selmani, i dënuar me 28 vite burg si i përfshirë në vrasjen e Santiago Malkos, dëshmoi në procesin ndaj vëllezërve Leonard e Erlis Duka dhe të tjerëve, të akuzuar për të njëjtën ngjarje.
Selmani këmbënguli në pafajësinë e tij, duke pretenduar se ishte dënuar me prova të manipuluara nga zyrtarë të policisë.
Sipas tij, janë paguar mijëra euro për të dëmtuar vëllezërit Duka, me të cilët ai pranon se i ka miq të ngushtë.
Shkak i përplasjes mes vëllezërve Duka dhe Ervis Martinajt, sipas dëshmisë së Selmanit, ka qenë biznesi i lojërave të fatit.
“Nuk kam asnjë lidhje me vrasjen. E kam mësuar në televizion. Vëllezërit Duka i kam shokë të ngushtë. Kam shkuar për drekë ditën e ngjarjes në lokalin që ata kishin marrë me qira. Dreka ishte rastësore për rreth 2 orë e 30 minuta. Ishim 8-9 veta në tavolinë, Blendi Teta, Fatmir Hyseni, Erlis Myftari solli Bledin dhe iku. Më kërkoj Erlis Duka që ta shoqëroja Blendi Tetën me makinë deri tek spitalet. Dëgjova diçka, por nuk di nëse ishin krisma armësh apo jo. Më pas kur e mendova ngjarjen, e kuptova që ishin krisma. Pastaj mora makinën dhe kur shkova tek lokali, policia kishte rrethuar Erlisin dhe Leonardin. 4 ditë pas ngjarjes shikoi që janë 9 veta në kërkim për vrasjen e Santiago Malkos (I drejtohet prokurorit) Çdo provë është e manipuluar nga dy oficerë policie. Ju prokuror keni thënë nga deklarimet e Blendi Tetës se jam i përfshirë, por nuk keni asnjë provë. Nuk keni bërë asnjë hetim, keni marrë prova të manipuluara nga oficerët e policisë. Janë paguar para për të penguar hetimin. Janë bërë përgjime nga oficerët se kanë manipuluar provat. Kam material dhe pres provat, informacionin shkresor dhe tabulatet telefonike që provojnë se janë manipuluar hetimet”, - ka dëshmuar Selmani para prokurorit Behar Dibra.
Sipas Selmanit, “Blendi Tetën e kanë marrë peng dhe e kanë dhunuar. Më keni dënuar me deklarimet e tij. E kam takuar në burgun “313” kur ishte tranzit. Më tha që e ka marrë peng Ervis Martinaj. I kanë thënë se do të të murosim. Ervis Martinaj e njoh se ka patur kompani të përbashkët lotosh me vëllezërit Duka”.
Në gjykatë, Selmani ka shtuar se “arsyeja e përplasjes mes Dukajve dhe Martinajt ishte se ky i fundit donte t’i merrte biznesin. Po bëj burg kot, jemi të pafajshëm unë dhe shokët e mi. Prokurori ka bërë hetime të arnuara”.
Për këtë çështje, vazhdon gjykimi në mungesë për pjesën tjetër të personave të dyshuar. I cilësuar si kreu i klanit Duka, Leonard Duka, është i arrestuar në Belgjikë në pritje të ekstradimit të tij drejt Shqipërisë.
Vëllai i tij Erlis Duka, Fatmir Hyseni, Aleksandër Manxhaku, Oltion Logu, vazhdojnë që të jenë në kërkim që nga viti 2019. Deri më tani ata nuk janë vënë në pranga nga policia.
Leonard Duka dhe Ervis Martinaj ishin shokë të ngushtë, të cilët më pas u kthyen në armiq të përbetuar, duke lënë pas një zinxhir viktimash mes miqve dhe shokëve të tyre për hakmarrje.
Në gusht të vitit 2019, te zona e “Xhamllikut” në Tiranë, u ekzekutua në makinën e tij tip “BMW X5” Santiago Malko, ish-polic. Ai ishte pjesë e bandës së Ervis Martinajt, i njohur ndryshe si “bosi i lojërave” të fatit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.