Dosje

Vrasja e Santiago Malkos, Blendi Teta rrëfen si u mor peng nga Ervis Martinaj: Më kërcënuan se do më murosnin!

Gazeta Si - Blendi Teta, i dënuar nga Apeli i GJKKO-së me 25 vite burg si i përfshirë në vrasjen e ish-policit Santiago Malko në Tiranë, ka dëshmuar këtë të mërkurë në procesin gjyqësor ndaj Leonard dhe Elis Dukës, Fatmir Hysenit, Oltion Logut, Aleksandër Manxhakut dhe Dritan Agajt.

Të gjithë akuzohen si pjesëmarrës në vrasjen e Malkos dhe të shpallur në kërkim nga policia, me vëllezërit Duka të dyshuarsi si porositës dhe organizatorë për eliminimin fizik mikut të Ervis Martinajt.

Gjatë seancës, Teta është shprehur se në shtator të vitit 2019, disa ditë pasi kishte ndodhur vrasja, u takua me Ervis Martinajn dhe rrëfeu se më pas grupi i tij e kishte marrë pend, duke e dërguar në një bodrum në Sauk.

Kërcënimi për vrasje dhe murosje!

Aty, ata e kanë kërcënuar se do ta vrasin dhe donin të dinin se ishte i përfshirë në vrasjen e Santiago Malkos dhe ku rrinin vëllezërit Duka. Por Martinaj dhe grupi i tij, e lanë të lirë.

“Dua të sqaroj e nderuar gjykatë, që edhe pse e dija që isha në kërkim për lotot, unë lëvizja. Në datën 8 ose 9 shtator 2019, Ervis Martinaj ka kërkuar të më takojë. Për këtë gjë ai me ka sjellë për të më takuar një nga djemtë e tij me emrin Arbër, - deklaron Teta. - E kam takuar Martinajn po atë ditë tek “ETC”, në një lokal në katin e dytë. Ai ishte aty me disa nga anëtarët e grupit të tij, mes tyre edhe Erigers Mihasi. Aty Martinaj më tregoi videon time kur po prisja taksinë pranë spitalit. Aty më kërcënuan dhe më kërkoi të tregoj për vëllezërit Duka”.

Gjatë rrëfimit të tij, Teta tregon se më pas e knë marrë dhe “nën kërcënimin e armëve më kanë dërguar në një bodrum në Sauk. Aty më kanë kërcënuar, duke më thënë të tregoja se kush ishte i përfshirë në ngjarjen e Malkos dhe se ku rrinin vëllezërit Duka. U kam sqaruar se nuk di asgjë. Martinaj dhe grupi i tij më kërcënuan se do më vrisnin dhe do më murosnin. Më pas ata më kanë lënë të lirë”, tha Teta ndër të tjera në dëshminë e tij.

Kush është "Tigri" i SKY ECC!?

Gjatë deklarimeve në gjyq, Blendi Teta tha se një person me pseudonimin “Tigri” në platformën Sky ECC ka ofruar shuma të mëdha parash për të sulmuar vëllezërit Duka.

“E nderuar Gjykatë dua që t'i bëj një pyetje prokurorit. A mund të më thoni kush është personi me pseudonimin "Tigri" tek SKY Ecc që ka dhënë 500 mijë euro për të fundosur vëllezërit Duka?”, - pyeti Blendi Teta.

Pas këtij pohimi, GJKKO i kërkoi shpjegime Tetës për informacionet që tha, por ai u shpreh se i ka mësuar duke qenë se ka 4 vite në burg për këtë çështje, pasi është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Malkos.

Në dëshminë e tij, Blendi Teta ju përgjigj pyetjeve të prokurorit dhe avokatëve të të pandehurve, duke thënë se nuk e njeh fare Santiago Malkon dhe se nuk ka dijeni për vrasjen e tij.

Seanca e radhës për gjykimin e të pandehurve të akuzuar për vrasjen e ish-policit Santiago Malko do të zhvillohet në 19 dhjetor.

Përplasjet mes grupeve

Në pretencën e tij, prokurori i tha gjykatës se vrasja e Malkos, ishte kryer për shkak të përplasjeve mes dy grupeve kriminale në Tiranë, që prokuroria e ka specifikuar atë të vëllezërve Duka dhe Ervis Martinajt.

Teta është dënuar nga Apeli i GJKKO-së me 25 vite burg si bashkëpunëtor në vrasjen e ish-policit Santiago Malko.

Fillimisht ai u hetua për “moskallëzim krimi“, por pas hetimeve të mëtejshme të kryera nga prokuroria rezultoi se ai ishte në dijeni dhe pjesë e planit për vrasjen e tij.

Sipas SPAK, Teta kishte pasur rol në mbajtjen nën vëzhgim të Malkos me qëllim që të gjendej një moment i përshtatshëm për ta qëlluar.

Për vrasjen e Malkos akuzohen edhe 8 persona të tjerë të shpallur që prej më shumë se një viti në kërkim, më konkretisht Leonard Duka;  Erlis Duka, Ilir Selmani, Oltian Loga, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica, dosja e të cilëve është e ndarë në gjykim nga Teta.

Malko, një mik i Martinajt, dyshohet të ketë qenë i përfshirë në disa ngjarje kriminale, e ndërsa dyshimet e policisë janë se ai u ekzekutua për shkak të trafikut të lëndëve narkotike, borxheve të pashlyera e konflikteve mes grupeve kriminale.

Në 27 gusht 2019, Malko ndodhej në ambientet e një lavazhi në rrugën "Xhanfize Keko" në Tiranë, ku sapo ka dalë, është përballur me breshëri automatiku, duke mbetur i vdekur në vend.

I pandehuri tjetër për vrasjen e Santiago Malkos, Ilir Selmani i cili u dënua me 28 vite burg, kishte sjellë në gjykatë një deklaratë ku theksonte se ishte i sëmurë dhe se do të jepte shpjegime në seancën e rradhës. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë