Ka ndodhur

Postonin në TikTok video të 10-vjeçarit me fjalë banale, arrestohen babai dhe gjyshja e djalit (Foto)

Gazeta Si- Babai dhe gjyshja e një 10-vjeçari në Kuçovë, kanë rënë në pranga, pasi dyshohet se kanë shfrytëzuar të miturin me qëllim përfitimin nga rrjeti social TikTok, duke postuar video të tij, me fjalë denigruese dhe banale.

Natasha Rombula 67-vjeçe dhe Armando Kumaraku 44-vjeç u arrestuan pas një hetimi 2 mujor, ku autoritetet dolën në përfundimin se ata shfrytëzonin të miturin, nipi dhe djali i të arrestuarve, me qëllim përfitimin nga rrjeti social TikTok. Ata postonin video të djalit të tyre me fjalë denigruese dhe banale. 

Nënë e bir të arrestuar, Natasha Rombula dhe Armando Kumaraku

Rombula dhe Kumaraku u shpallën në kërkim dhe u arrestuan më pas në Sarandë, aty ku jetonin. Kallëzimi për rastin në fjalë u bë nga nëna e 10-vjeçarit në dhjetor të vitit 2023 në Policinë e Beratit.

Kumaraku, 44-vjeç, ishte i divorcuar nga nëna e djalit të mitur, e cila jetonte në Kuçovë dhe kallëzimi është bërë në polici pas videove të djalit që janë shpërndarë nëpër rrjetet dhe platformat sociale. Nënë e bir janë transferuar nga Saranda në Komisariatin e Policisë Berat pas arrestimit.

Në rrjetin social TikTok gjyshja 67-vjeçare dyshohet se ka shfrytëzuar nipin, për të marrë sa më shumë klikime, të cilat shndërrohen në para.

Në një video "live", shihet djali 10-vjeçar me të atin, Natasha dhe disa persona të tjerë, ku i mituri nuk ka reshtur së ofenduari me fjalë banale një grua tjetër, nga ku i ati e mësonte se çfarë t’i thoshte, ndërkohë që gjyshja e tij e shikonte dhe qeshte.

Natasha Rombula dhe Armando Kumaraku nuk janë personazhe të panjohur për publikun. Ata kanë pasur disa dalje në emisione televizive dhe rrjete sociale. Për herë të parë Natasha Rombula u shfaq në televizion pasi kishte konflikte me ish-nusen, për kujdestarinë e 10-vjeçarit.

Siç deklaroi e reja nga Kuçova në atë kohë, vjehrra e saj dhe i shoqi nuk e lejonin të takonte djalin pasi me vendim gjykate kujdestaria u takonte atyre. Por E.A., shprehej se ata kishin dhënë para për një gjë të tillë.

Për ta bërë akoma më të qartë historinë, duke marrë versionet e të dyja palëve, E.A., pati një përballje televizive me Natashën një javë më vonë në 26 mars 2017. E vërteta e Natasha Rombulës ishte krejt e ndryshme. Sipas 67-vjeçares, nusja e saj nuk ishte e aftë të kujdesej për nipin.

Mjafton një kërkim i thjeshtë në këtë rrjet, për t’u përballur me një sërë videosh që fatkeqësisht e konfirmojnë rastin aspak të zakontë. Madje e moshuara, shfaqet herë pas herë duke u futur live me të birin 44 vjeçar, e ku nuk mungojnë ofendimet dhe gjuha denigruese ndaj ish-nuses.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë