Gazeta Si- Efekti i rrjetit social TikTok, ka ndikuar në dhjetëra raste vetëvrasjesh, vrasjesh apo konfliktesh mes grupmoshave të ndryshme përmes fotove e videove të publikuara pa autorizim apo përcjelljes së gjuhës së urrejtjes.
Rasti i fundit, ku 27-vjeçarja Sibela Abedini i i dha fund jetës duke u vetëhedhur nga pallati ku banonte për shkak të publikimit të një fotoje intime nga një 39-vjeçar, ka rindezur këmbanat e alarmit.
LEXO EDHE:
- "Ish i dashuri më postoi videon tonë intime në faqe porno…" Histori të denoncuara fëmijësh të bullizmit e shantazhit në Tik-Tok e Instagram
- Adoleshentët shqiptarë viktima të bullizimit online, Tik-Tok dhe Instagram platformat më të rrezikshme
- Arrestohet bashkëshorti i 41-vjeçares së vetëvrarë në Durrës - Hetimi lëviz mes bullizimit në rrjetet sociale, te dhuna e të shoqit (video)
- Zanafilla e një përleshje me thika pse i shkroi të dashurës së tjetrit në TikTok
Por vitet e fundit vetëflijimet të ndikuara nga ky rrjet i njohur social, kanë prekur edhe grupmosha të ndryshme, që nga rasti i 41-vjeçares Bedrie Loka në Durrës, te ato ku u përfshinë dy të mitur, në Lushnjë dhe Gramsh, ku ky i fundit u vra në mbrojtje të kushëririt të tij pas një sherri që nisi në rrjetet sociale.
Në Kamëz, fillimisht, ngjarja u raportua si vetëvrasje, ndërsa pas hetimeve të thelluara, policia zbuloi edhe shkakun e dyshuar të këtij vendimi të rëndë, që ishte publikimi i një fotoje intime në TikTok nga Altin Çoku.
Gruaja ishte në proces divorci me bashkëshortin nga Kosova dhe gjatë kësaj kohe ishte njohur me Çokun. Gjatë kohës së njohjes mes tyre, ai i ka bërë foto intime 27-vjeçares dhe më pas ia ka publikuar në rrjetin social.
Ajo i kërkonte të hiqte foton, por Çoku, herë pretendonte se nuk e kishte publikuar vetë dhe herë të tjera i kërkonte të vijonin lidhjen.
Në ditët e para të këtij viti, Bedrie Loka, nënë e tre fëmijëve, i dha fund jetës me fostoksinë në Durrës, pasi dyshohet se i ishte hapur një adresë denigruese në Tik Tok me emrin e saj.
Loka, kishte bërë denoncim në polici për gjetjen e personit që abuzonte me emrin e saj dhe mbylljen e adresës.
Por duke mos u marrë asnjë masë, ajo vendosi që t’i jepte fund jetës. Fqinj të zonës ku banonte e ndjera, u shprehën në atë kohë se ka qenë vajza e tezes së viktimës, ajo e cila i kishte hapur adresën.
Për këtë ngjarje u arrestua edhe bashkëshorti i saj, i cili dyshohej se e kishte dhunuar, ndërsa ai ka mohuar akuzat dhe çështja është ende nën hetim.
Në 16 maj të vitit të shkuar, 15-vjeçari Fatjon Bici u godit me thikë gjatë një konflikti me 4 persona të moshave 14 deri në 16 vjeç.
Pasi doli nga mësimi, ai pa në një rrugicë kushëririn e tij 15-vjeçar Marko Bici që po konfliktohej me 4 bashkëmoshatarë dhe ndërhyri për ta mbrojtur.
Por goditjet me thikë i morën jetën adoleshentit, ndërsa kushëriri i tij mbeti i plagosur. Katër të rinjtë, pas arrestimit nga policia ditën e ngjarjes, në prani edhe të psikologut, rrëfyen se sherri me Marko Bicin kishte nisur rreth 2 muaj më parë, mirëpo vijoi edhe më tej në rrjetet sociale.
Në dosjen e prokurorisë, citohen edhe mesazhe të shkëmbyera mes djemve në konflikt në platformën sociale snapchat, ku i dërgonin njëri-tjetrit thika dhe përforcues grushti e duke thënë se këto mjete do t’i përdornin dhe për fat të keq kështu ndodhi, duke përfunduar në një tragjedi.
Në nëntor të vitit 2021, një 13-vjeçar me inicialet A.S., humbi jetën, pasi ishte vetëvarur me spango në qafë në dhomën e tij në Golem të Lushnjës.
Ai u gjet i pajetë nga prindërit, ku edhe pse u dërgua në spital nuk mundi të mbijetojë. Pasi e kanë kërkuar në lagje dhe e kanë thirrur disa herë, familjarët kanë shpërthyer derën e mbyllur të dhomës, ndërsa kanë gjetur të miturin pa jetë me një spango në qafë dhe një karrige rreth këmbëve.
Hetimet u përqendruan vetëm në një pistë, ku dyshimi kryesor ishte një lojë sfiduese në rrjetin social Tik Tok përmes videove në telefon.
Sipas informacioneve paraprake, familjarët pohojnë se javët e fundit djali qëndronte shumë gjatë para telefonit dhe kishte ndryshuar sjellje, por asnjëherë nuk e kishin menduar se ai do të ndërmerrte aktin e rëndë.
Nga ana tjetër, personazhe të njohur në TokTok, e kanë përdorur këtë platofrmë për shantazhe dhe kërcënime ndaj njëri tjetrit, ku jo rrallë herë, kanë përfunduar me plagosje apo djegie makinash, siç ishte rasti i tiktokerit Kozak Braçi.
TikTok po ashtu është shfrytëzuar edhe nga grupe kriminale për shpërndarje të lëndeve narkotike dhe skemave të falsifikimit të pasaportave. Ndërsa në jo pak raste adoleshentët shqiptarë kanë rënë pre e bullizmit në shkolla apo komunitete.
Në nëntor të vitit të shkuar, në një nismë për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna seksuale dhe bullizmi para gjithash, ministri i Brendshëm Taulant Balla, propozoi mbylljen e rrjetit të famshëm TikTok.
“Ju e dini opinionin tim për TikTok-un dhe nuk ka nevojë që ta shpreh. Unë jam i qartë. Për mua TikTok duhet mbyllur. Megjithatë, ky është mendimi im personal, e jo si ministër i Brendshëm i vendit. Një vëmendje e madhe do i kushtohet parandalimit të abuzimit dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve në internet përmes edukimit dhe sensibilizimit”, - u shpreh Balla.
Ky rrjet social forcon aftësitë krijuese të përdoruesve të tij, ku është e lehtë të publikohen foto dhe video me efekte speciale dhe që mund të bëhen virale pa qenë nevoja për të pasur shumë ndjekës.E.A
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.