Drejtësia

Shfrytëzuan 10-vjeçarin për përfitim nga klikimet në TikTok, burg për babain dhe gjyshen

Gazeta Si - Gjykata e Beratit ka lënë në burg nënë e bir, Natasha Rombula dhe Armando Kumaraku, të akuzuar për keqtrajtim të një 10-vjeçari, nipi i Natashës dhe djali i Armandos.

Ata janë denoncuar nga nëna e të miturit, pasi e ekspozonin atë në rrjetin social, TikTok, duke folur me një fjalor banal, me qëllim për të përfituar ekonomikisht.

Në rrjetet sociale qarkullojnë shumë video të të miturit ku dëgjohet të flasë me një fjalor banal, i shtyrë nga babai dhe gjyshja e tij.

Ata dilnin live në këtë rrjet social me njerëz të tjerë dhe e mësonin 10-vjeçarin si t’i shante me fjalë të rënda dhe denigruese.

Në rrjetin social TikTok gjyshja 67-vjeçare ka shfrytëzuar nipin, për të marrë sa më shumë klikime, të cilat shndërrohen në para.

Në një video live, shihet djali 10-vjeçar me të atin, Natasha dhe disa persona të tjerë. I mituri nuk ka reshtur së ofenduari me fjalë banale një grua tjetër, ku i ati e mësonte se çfarë t’i thoshte, ndërkohë që gjyshja e tij e shikonte dhe qeshte.

Menjëherë pas denoncimit policia nisi hetimet dhe pas 2 muajsh verifikime rezultoi se fëmija 10-vjeçar ekspozohej në adresat e TikTok të babait dhe gjyshes së tij, të cilët kishin të drejtën e kujdestarisë.

Nënë e bir, Natasha Rombula dhe Armando Kumaraku, përkatësisht 67 dhe 44 vjeç u vunë në pranga në qytetin e Sarandës dhe u dërguan më pas në komisariatin e Kuçovës.

Ndaj tyre rëndon akuza e shfrytëzimit të të miturve, vepër për të cilën Kodi Penal parashikon një dënim nga 2 deri në 5 vite.

Natasha është një personazh i njohur për publikun, pasi para disa vitesh historia e saj me nusen ka bërë xhiro në rrjetet sociale. Ajo u përball live në një studio televizive me ish-nusen ndërsa ziheshin për kujdestarinë e djalit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë