Nga Gazeta ‘SI’ – Socialistët, të vetmit në komisionin e Ekonomisë kanë miratuar sot online projektligjin e ri për Prokurimet Publike.
Drafti ka pësuar përsëri ndryshime nga hera e shkuar që u diskutua po në të njëjtin komision. Drejtoresha e Agjencisë së Prokurimeve, Reida Kashta tha se me pr.ligjin e ri mund të futen edhe OJF-të në konkurrim, e jo vetëm kompanitë tregtare. Ajo shpjegoi se këto organizata do të bëhen pjesë në kuadër të nismave për barazi gjinore, përfshirjen sociale etj.
Një pikë tjetër që qeveria ka ndryshuar është mundësia e konkurrimit për një kontratë, ku subjektet që kanë fituar të njëjtin shërbim, nga i njëjti institucion 3 vitet e fundit, do të përjashtohen.
Kashta tregoi se kompanitë që propozojnë vlera anomalisht të ulëta nga ajo e propozuar, do të skualifikohen direkt dhe do u hiqet mundësia për ta arsyetuar, si ndodhte më herët.
Ndërkohë në prezantimin e parë të këtij drafti, drejtoresha e APP, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetit Erion Braçe, tha se çdo kompani që nuk ka deklaruar pronarët përfitues në QKB skualifikohet nga konkurrimi, por kjo vetëm sipas ligjit shqiptar. Ajo sqaroi se nëse ka kompani të llojit offshore, që sipas ligjit të një vendi tjetër nuk i deklarojë pronarët, do të pranohen gjithsesi.
Shkurtimi i afateve të procesit të prokurimit, një shqetësim i deputetit Braçe, nuk mund të ndodhë pasi sipas Kashtës, koha e vendosur është e mjaftueshme për autoritetet. Ajo shtoi se digjitalizimi i proceseve dhe futja e AI shkurton automatikisht kohën dhe i bën veprimet më shpejt.
Drejtoresha e APP sqaroi se pagesa për sistemin e prokurimit do të jetë vetëm për autoritetet dhe kompanitë dhe se do të vendoset me VKM.
Drafti u prezantua nga ministrja e shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila tregoi se organizimi i prokurimeve në një organ qendror do të bëhet me ndihmën e të huajve.
“Rritet transparenca dhe eficienca. Propozojmë zhvillimin e teknologjisë, studim tregu, përllogaritja e vlerës limit dhe vlerësimin e ofertave. Përafrohet legjislacioni me direktivat europiane, parashikohet ekspertiza e jashtme, unifikohet dhe krahasohet, që nga kufijtë monetarë tek sistemi. Synohet rritja e kapaciteteve kontraktore dhe riorganizimi i autoriteteve kontraktore” tha ministrja e Shtetit Spiropali.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.