Menaxhim

Projektligji / Konkurrenca do të hetojë edhe tenderat publikë

Nga Gazeta ‘SI’ - Pas paralajmërimit të kreut të Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba se ky institucion do të marrë përsipër edhe kontratat e prokurimit, është hedhur për konsultim projektligji.

Sipas ndryshimeve, në përgjegjësinë e AK shtohen edhe ‘praktikat e bashkërenduara’ si edhe ‘marrëveshjet në ofertë’.

E para ka të bëjë me koordinimin ndërmjet ndërmarrjeve të cilat, pa arritur në fazën e lidhjes së një marrëveshjeje formale, bashkëpunojnë me vetëdije në praktikë duke kufizuar, deformuar ose shtrembëruar konkurrencën në treg.

E dyta është marrëveshja ku ndërmarrjet gjatë procedurave të prokurimit publik, nuk konkurrojnë midis tyre por bien dakord fshehurazi për të caktuar çmimet ose për të ulur cilësinë e mallrave, punëve ose shërbimeve për blerësit që dëshirojnë të prokurojnë produkte, shërbime ose punë nëpërmjet një procedure prokurimi apo kur bien dakord të koordinojnë ofertat e tyre në prokurimet publike.

Këto oferta mund të jenë të mbuluara, të përmbajtura në rotacion ose në formën e ndarjes së tregut.

Konkurrenca propozon dhe ndryshime të tjera në ligj, duke zgjatur mandatin e anëtarëve nga 3 në 5 vite dhe subjektet nuk do të mund të ankimojnë vendimet e Komisionit për hapjen e hetimit paraprak.

Të ardhurat që AK do të marrë nga gjobat, do t’i derdhë në arkën e shtetit.

Garat e padrejta dhe proceset abuzive në tenderimet publike kanë qenë prej kohësh shqetësim i ekspertëve të fushësh dhe vetë përfaqësuesve të qeverisë. Njëkohësisht në konsultim gjendet dhe projektligji i ri për prokurimet që pritet të kalojnë në një organ qendror e nuk do të kryhen më nga vetë institucionet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë