Treg

Raporti i OKB / Tether, kriptomonedha me anë të së cilës po pastrohen paratë e pista

Tether, një ndër platformat më të mëdha në botë për kriptomonedhat, raportohet të jetë kryesorja në pastrimin e parave të pista nga Azia Juglindore, sipas OKB-së.

Sipas raportit të publikuar sot (15 janar) platforma Tether që ka dhe kriptomonedhën e saj me të njëjtin emër është në zemër të një industrie mashtrimesh që thith në të viktima që më pas shpenzojnë aty shuma të mëdha, një strategji e njohur si ‘thertorja e derrave’.

“Vitet e fundit, autoritetet ligjvënëse dhe ato të inteligjencës financiare kanë raportuar përdorimin e shtuar të mënyrave inovative dhe të sofistikuara të pastrimit të parave”, thotë raporti.

Evoluimi i kriptomonedhave, paralelisht me zhvillimet teknologjike ka galvanizuar praktikat e vjetra të bandave të krimit të organizuar të Azisë Juglindore në përdorimin e kazinove të tregut të zi për të pastruar fonde të paligjshme.

“Platformat online të lojërave të fatit, sidomos ato që operojnë ilegalisht janë bërë mjete të njohura të pastrimit të parave” shkruan raporti.

Jeremy Douglas nga zyra e OKB-së për krimin dhe drogën tha për Financial Times: “Krimi i organizuar ka krijuar një sistem bankar efektiv me anë të teknologjive të reja”.

Tether nuk është kriptomonedhë si Bitcoin ajo është stablecoin “e qëndrueshme” pasi lidhet me vlerën e dollarit dhe nuk lëviz. Ajo është më e madhja e llojit të saj me 95 mld dollarë në qarkullim.

OKB thekson se gushtin e shkuar kapi 737 mln dollarë në Tether. Në nëntor u ngrinë 225 mln të tjera të lidhura me ‘thertoren’ dhe trafikimin njerëzor.

Douglas thotë se rregullat për kriptot janë pothuajse inekzistente dhe se krimi i organizuar nuk pyet për to.

Sipas një dokumenti të FT, një sindikatë e pastrimit të parave në Myanmar që operon dhe në Kamboxhia ka varur një shenjë në dyqain e saj në rrugën kryesore që thotë se përdor Tether dhe premton të konvertojë kriptomonedhat ‘e zeza’ në para të thatë.

Tether nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Në nëntor të vitit të kaluar Tether njoftoi se mori autoritetet amerikane në platformën e tij për të ndihmuar në parandalimin e përdorimit të paligjshëm të kriptomonedhës. Numri i kuletave Tether në listën e zezë është rritur që atëherë me rreth 27%, sipas ofruesit të të dhënave të industrisë CCData.

Tether ka rënë nën kontrollin rregullator në vitet e fundit mbi menaxhimin e aseteve të saj dhe lidhjet me institucionet financiare.

Në vitin 2021, rregullatori amerikan, Komisioni i Tregtisë së të Ardhmes së Mallrave, pretendoi se Tether bëri deklarata mashtruese se kishte mjaftueshëm dollarë për të mbështetur monedhën e saj të qëndrueshme. Tether pagoi një gjobë prej 41 milionë dollarësh pa pranuar përgjegjësi.

Në nëntor të vitit të kaluar FT zbuloi se Tether depozitoi më shumë se 1 miliard dollarë në një degë të Britannia Financial Group, e themeluar nga bankieri venezuelano-italian Julio Herrera Velutini, i cili në gusht 2022 u akuzua nga autoritetet amerikane për një skemë të dyshuar korrupsioni. Velutini i ka mohuar akuzat dhe Britannia Financial nuk u akuzua për ndonjë keqbërje. Rasti po vazhdon.

Burimi: FinancialTimes/Përshtati:Gazeta ‘SI’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë