Nga Gazeta ‘Si’- Gjykata Kushtetuese ka vendosur të shfuqizojë vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që kishte lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke e kthyer çështjen për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë.
Vendimi nr. 57, datë 25 maj 2026, është marrë pas shqyrtimit të kërkesës së Veliajt, i cili kundërshtoi vendimet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), të Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe të Gjykatës së Lartë lidhur me masën e sigurisë të caktuar ndaj tij.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese vlerëson se Gjykata e Lartë nuk ka ushtruar një kontroll kushtetues të plotë dhe efektiv mbi vendimin për masën e sigurisë.
Sipas Kushtetueses, nuk është analizuar në mënyrë të mjaftueshme proporcionaliteti i masës në raport me funksionin publik të ushtruar nga kërkuesi, nuk janë shqyrtuar konkretisht masat alternative ndaj paraburgimit dhe nuk është dhënë një vlerësim kushtetues për ndikimin që masa e sigurisë ka mbi ushtrimin e mandatit të fituar përmes zgjedhjeve.
Në vendim, Kushtetuesja kërkon që Gjykata e Lartë të japë një arsyetim të plotë se përse masa “arrest me burg” është e domosdoshme në rastin konkret dhe përse nuk mund të zbatohen masa më të lehta sigurie, duke marrë në konsideratë edhe faktin që Veliaj ushtron funksionin e kryebashkiakut.
Në një mendim paralel, gjyqtarja Sonila Bejtja shkon edhe më tej, duke argumentuar se Veliaj është arrestuar pa ekzistencën e një dyshimi të arsyeshëm të mbështetur në prova konkrete dhe se mbajtja e tij në paraburgim bie ndesh me standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Arsyetimi i gjykatave nuk bind qoftë edhe një vëzhgues objektiv se ai mund të ketë kryer veprat penale për të cilat akuzohet”, shprehet Bejtja.
Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë vendimin e Gjykatës së Lartë dhe ta kthejë çështjen për rishqyrtim, duke kërkuar që shqyrtimi të bëhet në përputhje me standardet kushtetuese të përcaktuara në vendimin e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje