Nga Gazeta ‘Si’- Siç e kishin paralajmëruar, një grup qytetarësh janë mbledhur sërish në protestë para Kuvendit.
Një pjesë e deputetëve të PS ishin futur në sallë më herët, por kalimi i disa ligjvënësve të tjerë socialistë bëri që qytetarët të nisin sulmet me vezë.


5 protestues kishin arritur të kalojnë kordonin e sigurisë dhe nisën me sulme, çka bëri që policia të ndërhyrje menjëherë për shoqërimin e tyre. Mes të arrestuarve është edhe Gent Progni.

Më tej tensionet janë përshkallëzuar ku protestuesit kanë tentuar të çajnë kordonin e sigurisë të vendosur nga Policia.
Për të penguar depërtimin e tyre, efektivët kanë përdorur spraj lotsjellës.


Makinës së kryetarit të Kuvendit, iu hodh miell e vezë. Ndërsa të tjerë socialistë futeshin në sallë, si Ardit Bido, Ervin Demo apo Blendi Klosi protestuesit që ndodheshin jashtë perimetrit të sigurisë nga larg hodhën vezë për t’i sulmuar.
Por ndryshe janë pritur deputetët e opozitës, të cilët ndërsa kalojnë pranë protestuesve dëgjohen vetëm thirrjet “opozitë e shitur”.
I pranishëm është dhe deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, në mbështetje të protestuesve. Kujtojmë se Kapri është përjashtuar me 20 ditë nga punimet parlamentare.
Protesta e sotme vjen vetëm dy ditë pasi tubimi para Kuvendit u përshkallëzua në tensione mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit.
Gjatë daljes së ministrave dhe deputetëve nga Parlamenti, protestuesit, të ndarë në dy grupe, hodhën vezë dhe shishe uji në drejtim të automjeteve zyrtare, ndërsa mes mjeteve të goditura ishte edhe automjeti i zëvendës kryeministres Albana Koçiu.
Për të garantuar daljen e zyrtarëve, policia krijoi një kordon sigurie në hyrje të Kuvendit. Në përfundim të protestës u shoqëruan gjashtë persona, mes tyre edhe Dritan Goxhaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje