Treg

Si rritja e bursave po fut në krizë tregun e banesave në Korenë e Jugut

Investitorët individualë në Korenë e Jugut po i zhvendosin fitimet nga tregu i aksioneve, i cili po shënon performancën më të mirë në botë, drejt sektorit të pasurive të paluajtshme, duke e mbinxehur më tej tregun e banesave dhe duke sfiduar përpjekjet e qeverisë për të ulur kërkesën.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Tokës, 13.2% e blerjeve të banesave me vlerë mbi 1.5 miliardë won (rreth 974 mijë dollarë) në prill janë financuar nga fitimet e shitjes së aksioneve. Kjo është hera e parë që ky tregues kalon nivelin 10% dhe është gati tre herë më i lartë se mesatarja mujore e pesë viteve të fundit.

“Kur njerëzit fitojnë shumë para nga aksionet, ato përfundojnë përsëri në tregun e pasurive të paluajtshme,” tha Kim Won-ik, një punonjës në sektorin e teknologjisë në Yongin, në jug të Seulit, i cili së fundmi fitoi 20 milionë won nga aksionet. “Rezultati është një rreth vicioz, jo një cikël pozitiv.”

Prej vitesh, qeveria e Koresë së Jugut po përpiqet të bindë qytetarët të investojnë më shumë në tregun e aksioneve vendase dhe më pak në tregun e mbinxehur të banesave, të cilin e konsideron si një nga shkaqet e pabarazisë dhe uljes së lindshmërisë, pasi çmimet e larta të banesave i dekurajojnë çiftet të krijojnë familje.

Presidenti Lee Jae Myung ka premtuar që ta zhvendosë më shumë pasurinë e vendit larg investimeve “joproduktive” në pasuri të paluajtshme.

Që nga fillimi i vitit, indeksi kryesor i bursës së Koresë së Jugut (Kospi) është dyfishuar, duke u bërë një nga tregjet më të suksesshme në botë për të dytin vit radhazi. Rritja është nxitur kryesisht nga kompanitë e çipave Samsung Electronics dhe SK Hynix, të cilat po përfitojnë nga zgjerimi i qendrave të të dhënave për inteligjencën artificiale.

SK Hynix u bë kompania më e vlefshme në vend, duke kaluar Samsung, i cili kishte mbajtur vendin e parë për më shumë se 20 vjet.

Pavarësisht rritjes në bursë, pasuritë e paluajtshme përbëjnë ende 75% të pasurisë së familjeve, shumë më tepër se në vendet e tjera të pasura, ndërsa vetëm 9% është në aksione. Borxhi familjar në Korenë e Jugut arrin rreth 175% të të ardhurave të disponueshme, një nga nivelet më të larta në OECD.

Një pjesë e këtij çekuilibri lidhet me performancën e dobët të bursës përpara bumit të inteligjencës artificiale. Midis 2015 dhe 2025, indeksi Kospi u rrit vetëm 25%, ndërsa çmimet e banesave në Seul u rritën mbi 50%.

Këshilltari kryesor ekonomik i presidentit ka paralajmëruar se rritja e tregut të aksioneve mund të ketë pasoja të padëshiruara, duke nxitur më shumë investime në pasuri të paluajtshme.

Sipas të dhënave, çmimet e shtëpive në Seul janë rritur me 3.1% nga janari deri në maj, pavarësisht masave të qeverisë për të frenuar tregun. Këto masa përfshijnë kufizime kredish, kufizime transaksionesh dhe rritje taksash për pronarët me shumë banesa.

Megjithatë, ekspertët thonë se ndryshimi i mentalitetit të qytetarëve është i vështirë, pasi për dekada strehimi është parë si mënyra kryesore për pasurim.

Ka edhe shenja mbinxehjeje në bursë: përdorimi i tregtimit me kredi ka arritur nivele rekord, ndërsa shumë investitorë po marrin hua për të rritur fitimet e tyre.

Sipas autoriteteve financiare, shumica e investitorëve janë individë të klasës së mesme dhe punëtore, dhe ekspozimi ndaj luhatjeve të forta të tregut mund të sjellë pasoja serioze.

Megjithatë, shumë qytetarë mbeten të bindur se pasuria e shpejtë nga aksionet është rruga drejt ngritjes sociale dhe blerjes së një shtëpie në zonat e shtrenjta të Seulit./FT


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë