Treg

Kompanitë e sigurimeve paguan 3.8 miliardë lekë dëme, kryesisht për pronat

Nga Gazeta ‘Si’- Tregu i sigurimeve në Shqipëri vijoi të rritet edhe gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026, i mbështetur nga shtimi i kontratave dhe zgjerimi i primeve të shkruara. Megjithatë, krahas rritjes së aktivitetit, kompanitë e sigurimeve paguan ndjeshëm më shumë dëme, kryesisht për pronat e dëmtuara nga zjarret dhe fatkeqësitë natyrore.

Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në pesë muajt e parë të vitit primet e shkruara bruto u rritën me 4.9%, duke arritur në 10.6 miliardë lekë, ndërsa numri i kontratave u zgjerua me 4.92%.

Sigurimet e Jo-Jetës vijojnë të dominojnë tregun, me mbi 90% të totalit të primeve. Brenda këtij segmenti, sigurimet e detyrueshme motorike mbeten produkti kryesor, duke zënë rreth 66% të tregut. Megjithatë, primi mesatar i policës MTPL është ulur me 2.12%, si rezultat i zbatimit të sistemit Bonus-Malus, raporton AMF.

Edhe segmenti i sigurimeve të Jetës shënoi rritje, ndonëse vijon të ketë një peshë modeste në treg. Primet u rritën me 5.5%, ndërsa numri i kontratave me 3.46%. Numri i dëmeve të paguara u rrit me 24.37%, kryesisht si rezultat i kontratave “Flexi Plan”, që lidhen me mbulimin e shërbimeve shëndetësore.

Në të njëjtën periudhë, AMF raporton se pagesat për dëmet u rritën me 15.86%, duke arritur në rreth 3.8 miliardë lekë. Rritja u ndikua kryesisht nga dëmshpërblimet për pronat e siguruara kundër zjarrit, forcave të natyrës dhe dëmtimeve të tjera në pronë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë