Nga Gazeta ‘Si’ – Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka publikuar një video në rrjetet sociale në të cilën, sipas tij, shihet nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiçi, gjatë sulmit kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit më 24 shtator.
“Ky në pamjet më poshtë është Milan Radojçiç, nënkryetar i Listës Serbe, po ashtu pjesë edhe e Listës së Zezë të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar”, shkroi Sveçla në përshkrimin e videos në Facebook.
Më 24 shtator, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur derisa po shkonte për ta hetuar bllokimin e një rrugë nga dy kamionë pa targa në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Si pasojë, u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, policia i vrau tre sulmues të nacionalitetit serbë, ndërsa i arrestoi tetë të tjerë.
Radoiçiq është nënkryetar i Listës Serbe, i cili kërkohet nga autoritetet e Kosovës dhe është gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së për “përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar”.
Ai kërkohet nga Kosova nën dyshimet se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor, të njohur si “Brezovica”.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar ta kontaktojë Listën Serbe, por deri tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
As presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e as Lista Serbë nuk kanë komentuar rreth akuzave të ministrit Sveçla, i cili tha dje gjatë një konference për media se Radoiçiçi “është përgjegjës për sulmin në veri”.
Sveçla i përsëriti akuzat edhe të martën, duke thënë se “kryekrimineli Radoiçiç ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit… Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.