Kosova

‘Mes të plagosurve në veri edhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç’

Nga Gazeta ‘Si’ - Media boshnjake “Istraga.ba” raporton se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, është në mesin e agresorëve të plagosur në Banjskë të Zveçanit. I njëjti lajm është konfirmuar edhe nga burimet e mediave në Kosovë.

Istraga shkruan se Milan Radojiçiç, i cili prej kohësh është i kërkuar nga autoritetet e Kosovës dhe gjithashtu në listën e zezë të Amerikës, po merr trajtim të specializuar në spitalin ushtarak në Beograd.

Edhe sipas burimeve të mediave në Kosovë, mësohet se një pavion i tërë i spitalit është bllokuar për kujdesin e tij dhe se aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Në disa raste kemi tentuar të kontaktojmë me Radoiçiçin. Fillimisht, një person i panjohur i cili i është përgjigjur numrit të tij të telefonit ka thënë se ‘nuk është Radoiçiç’, ndërsa më pas, gjatë korrespondencës, i njëjti person ka pohuar se Radoiçiç është mirë dhe se është duke u kuruar. Sipas informacioneve tona Radoiçiç ndodhet në Serbi dhe po trajtohet. Dokumentet e tij u gjetën në makinat e sekuestruara”, shkruan Istraga.

Ditën e djeshme, në një konferencë për media teksa ekspozonte arsenalin e armëve të gjetura, ministri i brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha se Radoiçiç ishte i lidhur me sulmin.

Sveçla gjatë konferencës për media ndërsa njoftonte se Radoiçiç ishte i lidhur me sulmin terrorist , 25 shtator 2023

“Në këto materiale, po ashtu kemi gjetur edhe dokumente të kriminelit që është në listën e zezë të SHBA-së, Milan Radoiçiç, dokumente këto që dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë aksion.

Kjo është lista e armëve apo lejeve të institucioneve të Serbisë dhënë Milan Radoiçiçit ku është edhe lista me armët që ai posedon, me numra, me të gjitha që janë gjetur në veturën e parë në radhë atje dhe patjetër që dokumenti origjinal është në dorën e forenzikës”, tha Sveçla gjatë konferencës për media.

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se në një makinë Mercedes, me targa të Beogradit, është gjetur një leje për armë në emër të Radoiçiçit.

“Dokumenti është i lëshuar nga autoritete serbe, duke ngritur dyshimin e fuqishëm që në mesin e persona të armatosur dhe uniformuar ishte edhe vetë Milan Radoiçiç”, tha Hoxha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë