Kosova

Ambasadori amerikan, Hovenier: Grupi i armatosur në veri ishte i trajnuar dhe i organizuar

Nga Gazeta ‘Si’ - Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se ende ka të panjohura lidhur me sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës, por theksoi se grupi që sulmoi policinë, nuk përbëhej nga qytetarë që u mlodhën spontanisht "për të shprehur shqetësimet e tyre".

“Ne ende po punojmë për të kuptuar se si dhe kush është përgjegjës dhe pse. Por dua të them, ju keni parë pamjet e pajisjeve ushtarake dhe planet që ishin zhvilluar. Ky nuk ishte një grup i qytetarëve që sponatisht u bënë së bashku për të shprehur shqetësimet e tyre. Ky ishte një grup i trajnuar dhe i organizuar. Kjo nënkupton se pas tyre ka një lloj strukture, duke pasur parasysh trajnimin dhe pajisjet. Ne duam që kjo ngjarje të zbardhet dhe ata të mbahen përgjegjës”, tha Hovenier për gazetarët, pasi u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani më 26 shtator.

Ai tha se lidhur me rastin e 24 shtatorit ka pasur një koordinim të mirë mes Kosovës dhe përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar.

"Ky ishte një kërcënim për Kosovën, për popullin e Kosovës dhe pati pasoja tragjike", tha Hovenier.

I pyetur se çfarë pret nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë - që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian - pas sulmit ndaj Policisë në veri, Hovenier tha se pret zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.

"Ju thatë se situata është krejtësisht ndryshme. Nuk pajtohem. Përderisa situata vuri në pah sesa të ndjeshme janë rrethanat dhe sa e brishtë është paqja, mendoj se reflekton deri në një masë për punën e rëndësishme që është bërë për të normalizuar raportet mes Kosovës dhe Serbisë. SHBA vazhdon të kërkojë nga Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë aktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, jo për të negociuar zotime dhe marrëveshje të reja, sepse e kemi një marrëveshje të mirë dhe një aneks të mirë të zbatimit, por të arrijmë zbatimin e plotë – nga të dyja palët – të kësaj marrëveshjeje...Ne duam të shohim që Marrëveshja e Ohrit të zbatohet plotësisht nga të dyja palët", tha Hovenier.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë