Kosova

Policia e Kosovës vazhdon hetimet në Banjskë. Zona ende e mbyllur për qarkullim

Nga Gazeta 'Si' - Policia e Kosovës ka vazhduar bastisjet nëpër shtëpi dhe objektet rreth fshatit Banjskë në veri të Kosovës, dy ditë pas një përleshjes së armatosur mes policisë së Kosovës dhe një grupi personash që kishin hyrë të armatosur në Kosovë; perleshje nga e cila mbetën të vdekur një polic kosovar dhe tre prej agresorëve.

"Hyrja në fshatin e Zveçanit vazhdon të jetë e bllokuar dhe nuk dihet kur do të hapet për qarkullim", tha këtë të martë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Policia ende nuk e ka mbaruar punën, nuk dihet se kur do ta bëjë, ndoshta sot gjatë ditës”, tha Elshani.

Në Banjskë, fshatin e vogël rreth 55 kilometra larg kryeqytetit Prishtinë, mund të hyjnë dhe dalin vetëm banorët e tij me nevoja urgjente, sipas Elshanit.

Më 24 shtator, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur derisa po shkonte për ta hetuar bllokimin e një rrugë nga dy kamionë pa targa në Banjskë. Si pasojë, u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën.

Pasi shtiu ndaj zyrtarëve policorë, grupi i armatosur iku dhe u strehua në manastirin e Banjskës, ku i vazhdoi përleshjet me policinë e Kosovës.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit, policia i vrau tre sulmues të nacionalitetit serbë, ndërsa i arrestoi gjashtë të tjerë.

Ndërkohë në mbrëmjen e 25 shtatorit në hotelin Banjska janë arrestuar edhe dy persona të tjerë për armëmbajtje.

Vendet perëndimore dënuan ashpër sulmin e armatosur ndaj policisë së Kosovës dhe kërkuan një hetim urgjent dhe që personat e përfshirë të sillen para drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë