Nga Gisela Troplini – Dyshimet për taksën mbi tokën bujqësore nisën që kur pak ditë më parë, ministria e Financave prezantoi idenë e taksës së tokës bujqësore si një zgjidhje që do të rriste produktivitetin e saj dhe te fermerëve si pasojë me një përdorim dhe shfrytëzim më të mirë të tokës bujqësore.
Ideja është ende vetëm diskutim në tryeza ekspertësh.
Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku tregon për Gazetasi.al se aplikimi i kësaj takse do të marrë disa vite për t’u vënë në zbatim dhe parashikohet që të fillojë implementimin në vitet 2028-2030, pasi janë të nevojshme që të realizohen disa hallka dhe teknikalitete të cilat kërkojnë kohen e duhur.
“Të gjitha taksat janë të rëndësishme, por kjo e tokës bujqësore pak më shumë, sepse ka disa problematika. Duke nisur që nga problemet me çështjet e pronësisë. Pronarët nuk posedojnë akoma certifikata të pronësisë, ka mbivendosje dhe shumë paqartësi mbi titujt e pronësisë” thotë profesor Sallaku.
Ai sqaron se taksimi duhet të bëhet në bazë të vlerës së tregut të tokës bujqësore.
“Parimi bazë është që taksimi të jetë në bazë të vlerës së tregut. Kjo do të thotë që për të arritur këtë kërkesë është e nevojshme qe të kesh sa me shume transaksione, pra sa më shumë shitje-blerje të kryera aq më shumë informacion ke për vlerën e tregut të tokës bujqësore. Është e rëndësishme qe të ketë nxitje për shitje-blerjen e tokës si mekanizëm që rrit funksionimin e tregut të tokës. Tregjet e Tokes kanë nevojë për një ambient të përshtatshëm institucional dhe eleminimin e pengesave që mund të pengojnë performancën e tyre. Ai që nuk e konsideron prioritare zhvillimin e sektorit bujqësor, duhet qe të heqë dorë duke e shitur atë dhe duke u marre me aktivitete te tjera me interes për atë”, sqaron Sallaku, duke shtuar se vlerësimi ekonomik është më i sakte se sa taksimi i bazuar ne bonitetin e tokës bujqësore.

“Boniteti i tokës është një sistem klasifikimi i bazuar në një sistem pikësh i përbërë nga 10 karakteristika kryesore te tilla si pjelloria e tokës, përmbajtja e azotit, fosforit, etj, që vlerësohen me 10 pikë secila. Toka që ka 100 pikë futet ne toka te kategorisë se parë. Por kjo nuk është shumë funksionale dhe përdorshme sepse nuk mbështetet në vlerësimin ekonomik të saj. Një tokë e cila mund t’i përkasë kategorisë se pare me 100 pikë, por qe ka një venddodhje në një zone të largët nga qendrat urbane nuk ka të njëjtën vlerë si një toke me te njëjtën kategori (100 pikë) por qe ndodhet shume pranë qendrës urbane. Duhet një vlerësim ekonomik edhe për pjellorinë e tokës sepse nuk kemi informacion të saktë.
Sipas profesorit ndërhyrja nëpërmjet vendosjes se taksës është një lëvizje e duhur dhe që do rrisë eficiencën në sektorin e bujqësisë duke e bere atë më konkurruese.
“Nëpërmjet vendosjes se taksimit synohet qe te kemi një interes me te madh te pronareve për ta përdorur token dhe duke çuar ne rritjen e prodhimit bujqësor ne vend. Ne nuk e kemi luksin të mos e përdorim tokën bujqësore. Kemi shumë pak tokë bujqësore dhe atë që e kemi është shume e fragmentarizuar. Aktualisht ne Shqipëri kemi një madhësi mesatare ferme që varion në rreth 1.2 ha, por qe është e ndarë në disa parcela duke e bere fermën jo shume konkurruese. Vendosja e taksës mbi token bujqësore ka këtë qëllim: pronaret t’i kthehen tokës dhe ta përdorin atë me efektivitet. Ne pothuajse nuk e kemi mbledhur fare këtë taksë sepse fermerët janë ne kushte jo shume te favorshme ekonomike.
Profesori shton se nisma duhet qe të diskutohet dhe te marre mbështetje edhe nga ministria e Bujqësisë, me qellim qe te koordinohen me prioritetet e kësaj ministrie ne lidhje me sektorët që mund të kenë nevoje për një mbështetje dhe incentiva te ndryshme, siç mund të jenë nxitja e StartUp-ve ne fushën e bujqësisë.
“Nëse ministria e Bujqësisë e nxit dhe e konsideron eksportin e perimeve, frutave apo prodhimeve bujqësore si prioritet te politikave te saj, atëherë rekomandohet qe kjo kategori fermerësh mund qe te mos përfshihet në pagesën e taksës së tokës për një periudhë te caktuar kohore. Politika e BE aktualisht mbështet të rinjtë që zgjedhin te merren me bujqësi, StartUp-et e ndryshme që operojnë ne sektorin bujqësore, të cilët mund të përjashtohen nga kjo taksë”, shprehet prof.Sallaku.
Nga ana tjetër z. Sallaku thekson faktin qe para se të vendoset taksa mbi tokën bujqësore është e nevojshme sigurimi apo ofrimi i mundësive alternative për pronaret e tokës. Një mundësi shumë e mirë që mund t’i ofrohet çdo pronari të tokës bujqësore është krijimi i Bankës së Tokës bujqësore si një institucion qe ka filluar të funksionojë në shume vende te BE.
Banka e Tokës është një institucion i ndërmjetësimit të blerjes, shitjes ose marrjes me qira të tokës nga pronarët privat apo institucionet publike me qëllim të rritjes së përdorimit të tokës, lehtësimit të tregut të tokës bujqësore në përgjithësi dhe përmbushjes së objektivave të politikës publike në lidhje me përdorimin e qëndrueshëm të tokës bujqësore në vend.
Me konkretisht, në bankën e tokës çdo pronar toke transferon të drejtën e përdorimit të tokës dhe ruan të drejtën e pronësisë së saj, nëpërmjet kontratës/marrëveshjen që ai bën me Institucionin e Bankës se Tokës. Nga ana e saj Banka e Tokës duke përdorur në mënyrë efektive sipërfaqen e tokës qe merr nga pronare të ndryshëm, mbulon shpenzimet e saj si dhe i siguron një vlere përfitimi të përcaktuar pronarit të tokës.
“Shumë vende ne BE e përdorin Bankën e Tokës, “Land Banking”, dhe është një koncept qe funksionon njësoj si një bankë financiare. Nëse ne vendosim lekët në bankë, duke ruajtur të drejtën e pronësisë, por duke i dhënë bankës të drejtën e përdorimit te tyre për qëllimet e veta, e njëjta gjë mund të bëhet dhe me tokën bujqësore. Pronari që nuk është i interesuar për tokën, ja jep institucionit të Bankës së Tokës, me të drejtën e përdorimit kundrejt një vlere X si qira dhe Banka nga ana e vet ja jep përdoruesve potencialë me një vlerë Y qiraje. Në këtë mënyrë ne sigurojmë një përdorim me te mire te tokës dhe fuqizojmë institucionin që nesër mund të menaxhojë të gjitha burimet tokësore, përfundon rektori i UBT-së duke thënë se institucionalizimi i këtij koncepti është një lëvizje pozitive”, përfundoi profesori.
Gjatë takimit për prezantimin e kësaj takse, ministrja e Financave Delina Ibrahimaj e quajti një reformë të cilës i ka ardhur koha të realizohet. Sipas ministres, një vendim i tillë do të nxisë shfrytëzimin e tokës dhe eficiencën e saj, por edhe më shumë të ardhura nga kjo taksë, duke qenë se aktualisht të ardhurat nga mbledhja e taksës së pasurisë dhe pronës në vendin tonë përbëjnë 0.3 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Në nëntor të 2022-shit, taksën e tokës bujqësore e riktheu në vëmendje kryeministri Edi Rama, i cili e quajti “supertaksa”. Por ajo ngeli vetëm një fjalim. Po ai qortoi krerët e bashkive për punën e pabërë në regjistrimin e tokave bujqësore dhe u la “afat” deri në përfundim të mandatit të tretë të qeverisë.
Sipas të dhënave zyrtare të përpunuara nga Gazetasi.al, fondi i tokës bujqësore ne vend është 699 mijë ha, ose 24% e të gjithë sipërfaqes tokësore të vendit, por vetëm 100 mijë ha ose rreth 14% e saj është e pakultivuar. Më shumë se 10 ha nga këto janë të paregjistruara. Kështu, Shqipëria renditet si një ndër vendet me më pak tokë bujqësore për frymë në Europë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



