Trashëgimi

‘Të njohim Çamërinë’, festa që mban gjallë trashëgiminë edhe tek të vegjlit

“Në këngët popullore të Çamërisë vizatohet e plotë fuqia kolektive e një popullsie heroike, të talentuar, jashtëzakonisht vitale, të zgjuar, aktive dhe plot kolorit”, do të shprehej shkrimtari Ismail Kadare për kulturën çame.

Ndonëse kultura çame (këngë, valle, veshje, rite) është mjaft e pasur dhe shpreh vlerat e një popullsie me histori të lashtë, aktivitetet për trashëgiminë kulturore çame prej vitesh kanë munguar.

“Të njohim Çamërinë” që lindi si një ide e bukur e Edvin Xhaferit është eventi që duket se riktheu edhe njëherë në vëmendje traditën çame, por me sytë tek të rinjtë.

Aktiviteti që bëri bashkë të rinj e të reja dhe ktheu sytë nga tradita dhe ruajtja e saj u mbajt më 15 qershor në qendër të Konispolit.

“Duke qenë se ka shumë pak aktivitete në këtë zonë, në lidhje me Çamërinë dhe duke qenë se ka një traditë shumë të pasur, menduam të sillnim një event të tillë. Zona e Çamërisë përfaqësohet shumë bukur me këngët e vallet çame, veshjet tradicionale, gatimet, ritet dhe shumë elementë të tjerë nga jeta e përditshme që vazhdojnë të ruhen ende në këtë krahinë. Ideja ishte ta kishim të dokumentuar një aktivitet të tillë për të ruajtur dhe trashëguar traditën. Kishim grupe valltarësh që nga 7-8 vjeç deri në gjimnaz, që kënduan dhe kërcyen këngën çame”, shprehet organizatori i eventit, Edvin Xhaferi për Gazetën “Si”.

Këngët e interpretuara nga fëmijët, vallet, kostumet popullore bënë që në Konispol të gjallonte edhe njëherë shpirti i Çamërisë.

Vallet popullore si pjesë e rëndësishme e kësaj tradite, nuk mund të mos shoqëroheshin me kostumet popullore të zonës. Ndaj sipas Xhaferit ky event ktheu sytë edhe nga artizanati, profesioni që në shumë zona të vendit po shkon drejt zhdukjes.

Nuk kanë qenë të pakta rastet kur kostumet popullore të kësaj zone do të binin edhe në sy të të huajve. Poeti i madh anglez Bajron i mrekulluar nga ky kostum ka dhe një pikturë, ku ai ka pozuar i veshur me të. Udhëtarë të tjerë europianë, në librat e tyre kanë bërë të njëjtën gjë; kostumin çam e quajnë një nga vlerat e kësaj popullsie.

“Fëmijët ishin të veshur të gjithë me kostume popullore, ishin rreth 40 fëmijë. Për realizimin e tyre kemi vënë në punë artizanet e zonës. Janë nja dy gra rrobaqepëse të fundit që kanë mbetur, që kanë realizuar kostumet, që kërkojnë një punim të hollë artistik, i kanë realizuar shumë bukur, dhe të djemve dhe të vajzave. Kostumet popullore dhe kontrasti i ngjyrave që i karakterizon, fustanella me shumë palë, tumanet dhe qëndismat me fije ari janë pjesë e mjeshtërisë së përgatitjes së veshjeve tradicionale çame”, vijon më tej Edvin Xhaferi për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “ka një ndjeshmëri të veçantë për këtë traditë, pasi prindërit e tij janë nga kjo zonë”.

Aktiviteti “Të njohim Çamërinë” do të vijonte me këngë dhe me valle çame nga grupe folklorike të Konispolit dhe fshati Shalës. Balada Çame do të vinte e përgatitur në mënyrë të veçantë nga grupi i Shalësit. Por nuk munguan as informacionet për pjesën e traditës.

“Gjatë aktivitetit patëm edhe historianë si Fatbardha Xhaferri që foli për rëndësinë e kësaj zone. Po ashtu Vangjel Tavo dha detaje më shumë për pjesën artistike”, vijon më tej Xhaferi për Gazetën “Si”.

Aktiviteti "Të njohim Çamërinë"

Xhaferi i mëshon fort faktit që është shumë e rëndësishme që të ruhet tradita e të përçohet te brezat e rinj.

“Tradita kryesorja është që të ruhet dhe për mua puna që bëhet me brezat e rinj është më e mira. Të veshësh një fëmijë 7-8 vjeç me kostum popullor dhe të vazhdojë të kërcejë këngë popullore, ndërkohë që sot gjithë Shqipëria ka idhull Stresin, Noizin dhe Luizin, mua nuk më duket pak”, thotë Edvin Xhaferi për Gazetën “Si”.

Përpos këngës, valles dhe kostumografisë, identiteti i Çamërisë mesditën e 15 qershorit do të shpërfaqej edhe në kulinari.

“Kishte dhe ‘banket’ brenda në sallë me të gjitha llojet e gatimeve tradicionale të zonës. Duke nisur nga byreqe me gjizë, spinaq, paçe, revani tipike e Konispolit, tava me mish, çorba, bakllavaja tradicionale çame dhe klumështori. Të gjitha gatimet ishin vetëm të zonës”, shpjegon më tej organizatori Xhaferi. 

Në aktivitet ishin të pranishëm rreth 100 veta. Por, organizatori Edvin Xhaferi ka dëshirën e mirë, që ky event të mos ngelet i vetmi, por të pasojë me të tjerë, pasi tradita çame ka shumë elementë për të shpërfaqur.

“Ne e bëmë me dyer të hapura, të pranishëm ishin rreth 40 fëmijë që kërcenin, dhe nga dy prindër rreth 80 veta. Unë ftova dhe politikanë, shkrimtarë. Rreth 100 veta kanë qenë aty në sallë. I gjithë eventi u mundësua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës”, thotë Xhaferi, ndërsa shton se “kemi dëshirë të bëjmë një aktivitet vetëm për kulinarinë, por ato nuk mund të ndahen, domosdo do ketë pak edhe nga të tjerat”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë