Rend dhe Ligj

Ekstradohet nga Greqia Olsi Leku, i dënuar për vrasjen e babë e bir në Elbasan në 2012

Gazeta Si - Olsi Leku, i akuzuar dhe dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm për vrasjen e babë e bir, Nezir e Gentian Beqirit në Elbasan në vitin 2012, është ekstraduar nga Greqia në Shqipëri.

44-vjeçari që përdor edhe dy identitete të tjera ishte arrestuar në Greqi disa kohë më parë për llogari të autoriteteve shqiptare për vrasjen e ndodhur në Elbasan. Olsi Leku ishte në rolin e ekzekutorit për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit.

Më 19 prill 2023, Gjykata e Posaçme dënoi me burgim të përjetshëm edhe Ardjan Çapjan dhe nipin e tij Florenc Çapja, si organizator dhe financues të vrasjes së Nezir e Gentian Beqirit.

Teksa për dy bashkëpunëtorët e tjerë, Klajdi Dokoli dhe Etjen Canin, u caktua një dënim me nga 25 vjet burgim.

Treshja gjykuese, dënoi me 16 vjet burg bashkëpunëtorin e drejtësisë, Ervis Bardhin, i cili ndihmoi në zbardhjen e ngjarjes.

Hetimet e kësaj të fundit treguan se ngjarja kishte motiv hakmarrjen për vrasjen e vëllait të Ardjan Çapjas në vitin 2005.

Gentian dhe Nezir Beqiri u ekzekutuan në shtëpinë e tyre në 15 gusht 2012, nga Jorgo Leku në bashkëpunim me Etien Canin.

Ata ishin paraqitur në shtëpinë e Nezir Beqirit si miqtë e djalit, Gentianit i cili ndodhej i paralizuar dhe në arrest shtëpie, pas një përplasje me policinë, pasi ishte në kërkim për një tjetër ngjarje të rëndë të ndodhur në Elbasan.

Etien Cani bashkë me Lekun, shkuan në shtëpinë e shokut të tyre Gentian Beqiri, duke përshëndetur policët e vendosur në hyrje të pallatit për të mbikëqyrur Nezirin.

Ishte babai i shokut të tyre ai që i hapi derën, pasi njohu shokët e djalit. Në atë moment Cani qëlloi me armë ndaj Beqirit duke e lënë të vdekur në vend.

Pista ku u pëqendrua Prokuroria, është ajo e hakmarrjes së vjetër me Çapjat, pasi Gentian Beqiri ishte një ndër tre personat që ekzekutuan Sokol Çapjan në një lokal në dhjetor 2005 në Elbasan, duke çelur kështu serinë e hakmarrjeve mes familjeve në këtë qytet.

Pas Beqirit disa vite më vonë u ekzekutua në Elbasan, vëllai i tij, Astrit Beqiri.

Ai u gjet i vrarë pranë një karburanti në prill të vitit të shkuar në lagjen “28 Nëntori” në Elbasan. Policia nuk ka ende të dyshuar për vrasjen, por dyshimet e para të tyre lidheshin me një gjakmarrje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë