Gazeta Si – Një gjykatë në Rovigo të Italisë, dënoi shqiptaren Nadire Kurti, 69 vjeçe, me banim në Badia Polesine, me 14 vjet e gjashtë muaj burgim për vrasjen e bashkëshortit të saj Shefki Kurti, 72 vjeç, ngjarje e ndodhur mes 21 dhe 22 korrikut të vitit të kaluar.
Trupi i burrit u gjet i copëtuar në disa thasë plehrash të hedhura në kanalin Adigetto. Pas shoqërimit në polici, gruaja rrëfeu më 18 gusht para hetuesve se ishte ajo që e kishte kryer krimin.
Ajo shpjegoi se kishte përdorur një hanxhar dhe thika. Zbulimi i pjesëve të trupit kishte filluar më 28 korrik në një kanal në Villanova del Ghebbo. Pjesa e fundit e trupit u gjet më 31 gusht.
Policia gjeti edhe armët e vrasjes, tre thika kuzhine, njëra prej të cilave është e dhëmbëzuar dhe një sëpatë.
Prokuroria e Rovigos, pas arrestimit të gruas më 27 gusht, shpjegoi se brutaliteti i krimit i kishte çuar fillimisht hetimet në drejtime të tjera përveç çështjes së brendshme familjare.
Në fakt nuk ishin përjashtuar edhe marrëdhëniet me krimin e organizuar. Më pas ndaj të dyshuarës, u urdhërua një raport psikiatrik, në bazë të të cilit Gjykata në fund të gjykimit njohu një defekt të pjesshëm mendor, përveç rrethanave lehtësuese të përgjithshme. E pandehura ishte ndjekur prej vitesh nga një psikiatër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.