Dosje

Vrau burrin dhe i copëtoi trupin, dënohet me 14 vjet burg Nadire Kurti në Itali

Gazeta Si - Një gjykatë në Rovigo të Italisë, dënoi shqiptaren Nadire Kurti, 69 vjeçe, me banim në Badia Polesine, me 14 vjet e gjashtë muaj burgim për vrasjen e bashkëshortit të saj Shefki Kurti, 72 vjeç, ngjarje e ndodhur mes 21 dhe 22 korrikut të vitit të kaluar.

Trupi i burrit u gjet i copëtuar në disa thasë plehrash të hedhura në kanalin Adigetto. Pas shoqërimit në polici, gruaja rrëfeu më 18 gusht para hetuesve se ishte ajo që e kishte kryer krimin.

Ajo shpjegoi se kishte përdorur një hanxhar dhe thika. Zbulimi i pjesëve të trupit kishte filluar më 28 korrik në një kanal në Villanova del Ghebbo. Pjesa e fundit e trupit u gjet më 31 gusht.

Policia gjeti edhe armët e vrasjes, tre thika kuzhine, njëra prej të cilave është e dhëmbëzuar dhe një sëpatë.

Prokuroria e Rovigos, pas arrestimit të gruas më 27 gusht, shpjegoi se brutaliteti i krimit i kishte çuar fillimisht hetimet në drejtime të tjera përveç çështjes së brendshme familjare.

Në fakt nuk ishin përjashtuar edhe marrëdhëniet me krimin e organizuar. Më pas ndaj të dyshuarës, u urdhërua një raport psikiatrik, në bazë të të cilit Gjykata në fund të gjykimit njohu një defekt të pjesshëm mendor, përveç rrethanave lehtësuese të përgjithshme. E pandehura ishte ndjekur prej vitesh nga një psikiatër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë