Gazeta Si – Fredi Beleri, kandidati fitues i Bashkisë së Himarës në zgjedhjet e 14 majit, do të dalë këtë të hënë rreth orës 13:00 para Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, i akuzuar për korrupsion zgjedhor.
Beleri do të përballet me akuzën e korrupsionit zgjedhor, ndërsa bashkë me të para gjykatës do të dalë edhe Pandeli Kokaveshi, i cili dyshohet të jetë ndihmësi i tij.
SPAK pritet që të kërkojë masën e sigurisë “arrest në burg” për dy të hetuarit, një kërkesë që do të shqyrtohet nga gjyqtarja e posaçme Atalanta Zeqiraj. Vepra penale me të cilën Gjykata e Vlorës ia përcjell dosjen SPAK-ut është për “Korrupsioni zgjedhor”.
Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi u arrestuan dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Prokuroria thotë se ka prova dhe fakte për shit-blerje votash. Për këtë thotë se ka kryer përgjime dhe vëzhgime në terren, ndërkohë që kanë pasur edhe një person të infiltruar.
Më 13 maj, Gjykata e Vlorës vendosi që të lerë në burg Belerin dhe çështjen ia kaloi SPAK-ut, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Megjithatë më 15 Maj, Fredi Beleri, i cili garonte nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, u shpall fitues i zgjedhjeve për Bashkinë e Himarës pavarësisht se gjendej në qeli. Në një garë të fortë përballë Jorgo Goros ai mori 19 vota më shumë.
Arrestimi i Belerit ka shkaktuar reagim të fortë nga autoritetet greke që janë shprehur se vendime të tilla do të kenë ndikim në marrëdhëniet e BE-së me Shqipërinë.
Akuza ndaj tij u mbështet në disa filmime dhe përgjime mes tij dhe një të infiltruari, të cilit iu premtuan 400 mijë lekë të vjetër për 8 vota.
Avokati i Belerit pretendoi se akuzat ndaj klientit të tij janë të montuara dhe të motivuara politikisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.