“Dy vite më parë të gjithë donin të ishin si ne. Tani të gjithë na urrejnë”, thotë me trishtim një 24-vjeçar, themelues kriptomonedhash gjatë një takimi në New York. Pas kohës që dukej sikur do të kërcënonin të gjithë sistemin financiar, kriptomonedhat janë futur në një epokë të mohimit spektakolar. Vlera e tregut e të gjithë kriptomonedhave shkoi nga 250mld dollarë në 2020-n në 3 trilion në 2021-shin. Por që atëherë ka rënë në vetëm 1.3trilion. Akoma më e rëndësishme është se besimi në publik i kriptove ka rënë për tokë pas një serie me falimentime që nisi nga kompania FTX.
Por në Dubai, bisedat mbi kriptomonedhat mbeten aktive. Emiratet i kanë hapur dyert industrisë duke krijuar një trupë rregullatore që ka dhënë qartësinë e nevojshme, thotë Alex Chehade, shefi i Binance në Dubai. Binance dhe platformat e tjera të kriptove u vendosën në Dubai në vitin 2022. Pyetja e madhe akoma nuk ka përgjigje.
Sjellja ndaj kriptos është e polarizuar. Për disa, premtimi se ato do të revolucionarizojnë financën është thyer. Supozohej të ishte një mjet për të anashkaluar një sistem financiar të turbullt me kosto të shtrenjtë, i paarritshëm për shumë njerëz dhe ndoshta i pabesueshëm. Akoma sistemi financiar nuk është i qëndrueshëm: vazhdimisht po adapton teknologji të reja. Rregullatorët po veprojnë me shumë vonesë. Singapori, dikur një udhëheqës në këtë fushë, i kërkoi Binance të ndalonte aktivitetin e saj në dhjetor 2022. Ajo kishte lëshuar vetëm dhjetë licenca nga rreth 600 aplikime të fundit për të ngritur biznese kripto. Rreth 25 nga 45 vende të shqyrtuara nga Këshilli Atlantik, një institut kërkimor, kanë vendosur ndalime të pjesshme ose të plota për kriptomonedhat.
Ka ende disa grimca shprese. Çmimi i Bitcoin është rritur me 70% këtë vit, sidomos pas vrullit që ndodhi sapo banka Silicon Valley falimentoi. Ka disa prova që tregojnë se kriptomonedhat fitojnë më shumë hapësira në vende të dobëta që janë prekur nga inflacioni i lartë ose zhvlerësim i monedhës, si Argjentina dhe Nigeria. Kjo të ccon në një të vërtetë tjetër, që është se përdorimi i kriptove ka qenë më i fortë atje ku alternativat janë më të këqija.
Në vitin 2008, Satoshi Nakamoto tha në prezantimin e Bitcoin se “ajo çfarë duhet është një sistem pagese elektronik që i lejon palët të dërgojnë dhe marrin direkt, pa nevojën e një pale ndërmjetëse”. Transaksionet e kriptove kanë premtuar eficiencë dhe shmangie të kontrolleve qeveritare. Akoma asnjë benefit nuk është parë. Transaksionet duhet të verifikohen nga kompjutera që mbajnë një kopje të blockchain-it të lidhur, një nga arsyet pse Coinbase, një tjetër platformë kriptosh ngarkon një tarifë 1% për pagesat. Shtoni shpenzimet e lëvizjes së parave brenda dhe jashtë kriptos dhe kostot e përgjithshme janë mjaft të larta. Pse të paguani tarifa për të kryer transaksione në zinxhirin e Ethereum kur Upi i Indisë ose Pix i Brazilit është më i lirë?
Nuk është aq e lehtë t’i shmagesh qeverisë. Për të lëvizur nga paraja tradicionale në kripto, konsumatorët duhet të përdorin platformat si Coinbase ose Binance. Ato duhet të jenë të besueshme, pikërisht çfarë kripto supozon se nuk i duhet. Ekzistojnë edhe platformat e decentralizuara, por janë më të vështira për t’u përdorur dhe kanë pasoja, si humbja e kodit, që nuk mund të rikuperohet më kurrë.
Një dashuri e papritur për ligjin
Avokatët e kriptove tani thonë se duan rregulla që të reduktojnë pasiguritë dhe të rifitojnë besimin e konsumatorëve. Por rregullatorët shkojnë më thellë nga se ata presin. Guverantori i bankës së Indisë, ka thënë se Bitcoin nuk ka vlerë të qëndrueshme dhe se mund ta dëbojë nga përdorimi. Më 5 janar, rregullatorët amerikanë thanë se asetet digjitale nuk janë në përputhje me praktikat e sigurta dhe të shëndosha bankare. Qeveria gjithashtu sekuestroi Signature Bank, e cila ishte një bankë e shquar për industrinë e kriptove, pasi ajo falimentoi.
Rregullimi i kriptove, do t’i bëjë transaksionet edhe më të shtrenjta. Poon, nga universiteti i Hong Kong thotë se shumica e kostove në sistemin tradicional financiar vjen nga rregullimi, si p.sh, njohja e konsumatorit apo parandalimi i pastrimit të parave. Por rregullime më miqësore mund të ndihmojnë industrinë. Binance dhe firmat e tjera kripto janë në Dubai pikërisht për shkak të mbulimit rregullator që ofron. Atëherë pyetja është: nëse kripto përballet me të njëjtën rregullore si firmat fintech, a ofron ajo ndonjë gjë unike të vlefshme?
Ka vende ku kripto mund të jetë ende e dobishme. Kim Grauer, kreu i kërkimit në Chainanalysis, i cili hulumton të dhëna nga blockchains, gjen pikat e nxehta të adoptimit të kriptove “në vende që vuajnë nga zhvlerësimi i monedhës … ose inflacioni i rëndë”. Kripto mund të veprojë si një mbrojtje.
“Bitcoin në monedhën libaneze është rritur rreth .,000%,” vëren Chehade i Binance. Qeveritë gjithashtu mund të rrisin kërkesën.” Grauer thotë se kontrollet nigeriane të kapitalit dhe kufizimet argjentinase për mbajtjen e dollarëve ofrojnë arsye që njerëzit të transferojnë fondet në monedha të qëndrueshme dhe Bitcoin. Qeveritë e tyre mund të zbulojnë një rrezik për stabilitetin financiar. Qytetarët e tyre shohin një alternativë ndaj zyrtarëve të paaftë ose të korruptuar.
Një tjetër rast i përmendur zakonisht janë pagesat ndërkufitare, veçanërisht për çiftet e monedhave jolikuide. “Globalizimi sot është kufizuar në 10.000 dollarë,” thotë Navin Gupta, një bankier që tani është në Ripple, një firmë kriptosh që kryen pagesa ndërkombëtare. Tarifat ndërkufitare marrin një pjesë më të madhe të vlerës për pagesat më të vogla për shkak të tarifave të larta fikse, të cilat pengojnë tërësisht disa transaksione. Rrjeti i Ripple lejon kriptovalutat të ndërmjetësojnë tregtinë midis monedhave tradicionale, duke ulur kostot. Firma, me vlerë 15 miliardë dollarë në fillim të vitit 2022, ka përpunuar rreth 30 miliardë dollarë përmes shërbimit të saj ndërkufitar në pesë vjet.
Në krahasim me Wise (dikur TransferWise), një fintech ndërkufitare, përpunoi 33 miliardë dollarë vetëm në tremujorin e parë të 2023. Redukton kostot duke bërë transferta paralele të brendshme në vend të dy atyre ndërkufitare. Një studim i Bankës Botërore zbulon se kostot e dërgesave ndërkufitare kanë rënë nga 7% një dekadë më parë në 5%. Dhe nëse konsumatorët janë mjaft të zgjuar për të përdorur opsionin më të mirë (shpesh një fintech të epokës së re)? Kostot e transferimit mund të bien në vetëm 3%.
Në vitin 2015, Vitalik Buterin, bashkëthemelues i Ethereum dhe mbreti filozof i kriptove, shkroi një postim në blog duke pranuar se kripto nuk kishte gjetur ende një zgjidhje. Postimi i Buterin shkoi përtej pagesave dhe pjesëve financiare të kriptos. Megjithatë, deklarata e tij është ende e vërtetë. Kripto nuk do të ribëjë sistemin financiar global sepse nuk është dëshmuar as efikas dhe as imun ndaj rregulloreve. Në vend të kësaj, një kandidat më i fortë për ndryshimin digjital mund të jenë bankat qendrore.
Burimi: TheEconomist/ Gazeta: ‘Si’
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




