Blerësit po paralajmërohen se do të përballen me më shumë mungesa frutash dhe perimesh, pasi temperaturat në Spanjën jugore po rriten në nivele të paprecedenta.
Temperaturat arritën 39 gradë Celsius në pjesë të Andalucisë, mes një thatësire afatgjatë që ka ndikuar në prodhimin e perimeve në Spanjë.
Spanja ka qenë në thatësirë që nga janari i vitit të kaluar dhe ky ka të ngjarë të jetë muaji më i nxehtë dhe më i thati në histori.
Ndërkohë, kultivuesit britanikë janë përballur gjithashtu me sfida të motit, veçanërisht fillimi i ftohtë i sezonit të pranverës.
Aktualisht ka mungesë të specave.
Waitrose, në pronësi të John Lewis Partnership, tha: “Ne jemi duke punuar shumë me furnitorët tanë për të rikthyer gamën tonë të plotë [të specave] në raftet tona dhe presim që nivelet e stoqeve të stabilizohen në javët e ardhshme”.
Raftet e supermarketeve në Mbretërinë e Bashkuar, kishin boshllëqe të mëdha në shkurt, kur shitësit me pakicë duke përfshirë Tesco, Aldi, Asda dhe Morrisons racionalizuan produkte të caktuara si domatet, specat dhe kastravecat. Mungesa i ka rritur ndjeshëm çmimet e frutave dhe perimeve të freskëta.

Shumë prodhues në Mbretërinë e Bashkuar vonuan mbjelljen e frutave dhe perimeve sepse moti i ftohtë i bëri ata edhe më të varur nga energjia për ngrohjen dhe ndriçimin e serrave të tyre.
Sipas Lee Stiles nga Shoqata e Kultivuesve të Lea Valley, ata që mbollën kultura, duke përfshirë tranguj, speca, domate dhe patëllxhanë, pritën deri në fund të marsit për t’u përpjekur të shmangin rritjen e faturave të energjisë.
Kjo e shtyu fillimin e vjeljes në mesin e prillit, kur të korrat vendase zakonisht kanë filluar të zëvendësohen me importe dhe shkaktoi disa mungesa në furnizimin e brendshëm dhe çoi në boshllëqe në raftet e supermarketeve.
Mungesa e diellit kishte pasur gjithashtu ndikim, Stiles tha: “Aktualisht të korrat po duken mirë por [rritja e tyre është] pak më e ngadaltë për shkak të niveleve të dritës. Nivelet e dritës kanë qenë veçanërisht të ulëta këtë vit.”
Ai shtoi se çdo reduktim prej 1% në rrezet e diellit barazohet me një ulje prej 1% në rendimentin e të korrave.
Një burim nga indutria thotë se pranvera e ftohtë ka qenë sfiduese për ata që kultivojnë të mbjella vetëm jashtë, që do të thotë se u është dashur të vonojnë mbjelljen e disa bimëve të reja në tokë, si dhe izolimin e bimëve të tjera në përpjekje për të përshpejtuar rritjen e tyre.
Këshilltarja e Unionit Kombëtar të Fermerëve, Christine McDowell, tha: “Kultivuesit britanikë vazhdojnë të përballen me rritje të konsiderueshme të kostove, si energjia dhe puna, dhe shumë thjesht nuk mund të përballojnë të vazhdojnë të prodhojnë ushqim.”
Burimi: The Guardian/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




