Mijëra kilometra larg Lindjes së Mesme, një luftë tjetër ka hyrë në një kapitull të ri e të vështirë, duke sjellë kërcënime për ekonominë globale që shkojnë shumë përtej naftës dhe lëndëve të tjera djegëse.
Konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës- dy eksportuesve kryesorë të drithërave dhe, në rastin e Rusisë, edhe të lëndëve djegëse- është intensifikuar. Rusia ka kryer sulme të vazhdueshme e vdekjeprurëse ndaj Kievit gjatë javëve të fundit, ndërsa Ukraina e ka goditur infrastrukturën energjetike ruse me saktësi më të madhe, duke shkaktuar dëme maksimale.
Ky ka qenë një faktor kryesor në rritjen e çmimeve të shitjes me pakicë të naftës dhe benzinës, gjë që ka rënduar edhe më shumë buxhetet e amerikanëve këtë verë, duke nxitur frikën nga inflacioni.
Megjithatë, nuk bëhet fjalë vetëm për karburantet; sulmet ndaj terminaleve të grurit në Detin e Zi kërcënojnë eksportet e produkteve ushqimore jetike, përfshirë grurin, pikërisht kur sezoni i korrjeve në hemisferën veriore dhe dimri janë në prag, e ndërsa plehrat kimike nga Lindja e Mesme mbeten ende të paarritshme. Dhe, ashtu siç ndodh me luftën e SHBA-së kundër Iranit apo konfliktin në Lindjen e Mesme, ka pak shpresa se mund të arrihet së shpejti një armëpushim i qëndrueshëm.
“Po e vëzhgoj se si po zhvillohet situata dhe ndihem vërtet e tmerruar,” tha Tatiana Mitrova, studiuese në Qendrën për Politikën Globale të Energjisë të Universitetit të Kolumbisë dhe ish-anëtare e bordit të gjigantit të shërbimeve të fushave të naftës, SLB.
Ka shumë arsye për shqetësim. Mes përshkallëzimit të konfliktit Rusi-Ukrainë, administrata Trump dërgoi Jared Kushner-in dhe Steve Ëitkoff-in për vizita në Moskë dhe Kiev gjatë fundjavës, por nuk pati asnjë përparim.
Rusia ka vendosur një ndalim për eksportet e naftës për motorë, duke ndërprerë eksportin e rreth 800,000 fuçive në ditë që furnizonin kryesisht Turqinë, Brazilin dhe disa vende afrikane, ku produktet ruse nuk i nënshtrohen sanksioneve. Kjo i vuri këto vende në vështirësi dhe, si pasojë e një efekti zinxhir, rezervat e naftës në Evropë ranë në nivele të rrezikshme, duke bërë që SHBA-ja të ndërhynte për të mbushur këtë boshllëk.
Ky është një lajm i mirë për rafineritë amerikane si Marathon Petroleum dhe Valero Energy, fitimet tremujore të të cilave janë rritur në mënyrë drastike dhe aksionet e të cilave kanë arritur nivele rekord në seancat e fundit tregtare. Por ky nuk është një lajm aq i mirë për ekonominë amerikane, e cila varet nga gjendja financiare e konsumatorëve të saj, si dhe për tregjet globale.
“Kriza në Lindjen e Mesme ka lënë në hije ndërprerjet në Rusi dhe ndikimin e madh që ato kanë në furnizimin global me naftë ‘diesel’,” thotë Debnil Choëdhury, drejtues i sektorit të rafinimit dhe marketingut për Amerikën dhe Evropën në kompaninë S&P Global Energy.
Nafta “diesel”, nga ana e saj, mbetet nën hijen e benzinës në debatin publik, por “është në fakt karburanti kryesor i punës,” tha ai.
Kur çmimi i naftës rritet, kjo nuk pasqyrohet menjëherë në xhepat e konsumatorëve, tha Choëdhury. Përkundrazi, ajo ka një efekt zinxhir që do të përhapet në ekonomi gjatë tre deri në gjashtë muajve të ardhshëm, shtoi ai.
“Kjo është diçka që po e ndjekim me shumë vëmendje dhe që mund të përkthehet në një rritje më të dobët ekonomike” për pjesën e mbetur të vitit 2026 dhe vitin pasues, shtoi Choëdhury.
“Kjo na vendos në një situatë të pasigurt.”
Analistët në platformën e të dhënave Kpler vlerësojnë se kapaciteti global i rafinerive të naftës, që përfshin përpunimin e naftës “diesel” dhe benzinës po funksionon në nivelin e rreth 80 milionë fuçive karburant në ditë, një shifër më e ulët se mesatarja e zakonshme prej 86 milionë fuçish në ditë për këtë periudhë të vitit.
Për ta përkeqësuar situatën, përshkallëzimi i fundit i konfliktit në Lindjen e Mesme ka goditur rafineritë e Arabisë Saudite dhe objekte të tjera energjetike. Ndërkohë, rreth 40% e kapacitetit të përpunimit të naftës në Rusi është jashtë funksionit.
“Edhe nëse do të kishim naftë bruto, nëse ngushtica e Hormuzit nuk do të ishte e bllokuar dhe, le të themi, gjithçka do t’i ishte rikthyer normalitetit, nuk mund ta shndërrojmë atë në produkt final,” tha Al Salazar, analist energjetik dhe drejtor në “Enverus Intelligence Research”.
“Askush nuk konsumon naftë bruto,” por karburantet që rrjedhin prej saj, theksoi ai.
Të enjten, një tjetër rritje e çmimeve të kontratave të së ardhmes (futures) për naftën bruto ndikoi negativisht te aksionet dhe obligacionet; kontratat Brent të tregtuara në Londër kaluan nivelin prej 107 dollarësh për fuçi, ndërsa ato ËTI të tregtuara në Nju Jork tejkaluan 102 dollarë për fuçi- të dyja duke shënuar rritje prej gati 80% që nga fillimi i vitit. Kontratat e së ardhmes për grurin kanë shënuar rritje prej më shumë se 46% gjatë vitit, ku rreth gjysma e kësaj rritjeje ka ndodhur në tre muajt e fundit.
Ukraina e nisi fushatën e saj me dronë kundër rafinerive dhe infrastrukturës energjetike ruse rreth një vit më parë, por që atëherë i ka përsosur sulmet, të cilat tani shkaktojnë dëme më të mëdha, tha Mitrova nga Universiteti i Kolumbisë. Të mërkurën, sulmet me dronë shkaktuan një zjarr në objektet e gazit natyror pranë qytetit Novy Urengoy.
Përveçse kanë një rreze veprimi më të gjerë, sulmet me dronë po kryhen në valë më të mëdha, duke mbingarkuar mbrojtjen ruse; në disa raste, Ukraina po shënjestron rafineri që i ka goditur më parë, gjë që e vështirëson riparimin dhe i nxjerr ato jashtë funksionit për periudha më të gjata.
Sulmet e fundit duket se janë planifikuar për të goditur komponentët më të shtrenjtë dhe më të vështirë për t’u zëvendësuar të këtyre objekteve, duke bërë që riparimet të zgjasin edhe më shumë, tha Mitrova.
“Ata do të vazhdojnë t’i riparojnë gjërat dhe Ukraina do të vazhdojë t’i shkatërrojë ato; do të jetë thjesht një garë,” tha ajo.
Në Rusi, kriza e karburantit është tashmë “shumë e dukshme”, me radhë në pikat e furnizimit, masa racionimi dhe çmime zyrtare të karburantit rreth 16% më të larta deri më tani këtë vit, por shumë më të shtrenjta në tregun e zi, nëse gjenden, tha ajo.
Ekziston njëfarë shprese se të dyja vendet mund të bien dakord për një armëpushim të përkohshëm sa i përket infrastrukturës energjetike, por afrimi i dimrit ka gjasa t’i përkeqësojë gjërat, veçanërisht në Kiev, tha Mitrova.
Pastaj është edhe kërcënimi ndaj eksporteve të drithërave, kryesisht grurit, në Detin e Zi. Rusia është përpjekur t’i ridrejtojë eksportet e drithërave përmes korridorit të saj në Detin Baltik, por kjo përbën vetëm një pjesë të vogël të eksporteve të saj nga Deti i Zi, tha ajo.
“Siguria ushqimore do të preket shumë, shumë rëndë me gjithë atë sasi drithi të bllokuar në zonën e Detit të Zi, pa mundur as Rusia dhe as Ukraina të eksportojnë, me mungesën e plehrave kimike që nuk vijnë nga Gjiri Persik,” si dhe me dukuritë e motit, siç është “super” El Nino, që ndikojnë në bujqësinë globale, tha ajo.
Kjo do të bëhet shumë e dukshme vitin e ardhshëm dhe tashmë po vërehet në ekonomitë në zhvillim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje