Politike

Luçiano Boçi: Inceneratori i Elbasanit duhet fikur që sot, ose ne ose ai

Në zhvillimet paralele ligjore ku dosja për inceneratorin e Elbasanit ka kaluar në gjykatë, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e këtij qyteti, Luçiano Boçi ka deklaruar se nëse ai fiton inceneratori do të fiket. Boçi radhit disa nga arsyet në një opinion të tij.  

“Inceneratori ishte gozhda e fundit në një arkivol – tashmë të nisur drejt varrit. jo çështje nuk ngrihet për të diskutuar mbi vjedhjen. Me atë merret SPAK! Unë dua të flas për kërcënimin mjedisor dhe për rrezikun eminent që kjo vepër paraqet për çdo banor të bashkisë Elbasan. Kjo bashki u konsiderua kaq e pavlerë nga socialistët sa ata mblodhën aty mbetjet urbane të krejt qarkut. Teknologjia e zgjedhur shpërfillte çdo parametër mbrojtës të mjedisit. U zgjodh e vjetër që të ndihmonte ata që do të vidhnin. Por nuk është kjo çështja – e thamë! Teknologjia e vjetër dënon me vdekje banorët e këtij rajoni. Hiret që ajo nxjerr janë kancerogjenë! Tymrat që ajo nxjerr janë kancerogjenë. Në një bashki me shpeshtësinë e kancerit disa herë më të lartë se çdo qytet tjetër – ky investim është vërtet një makinë vrasëse, një ndëshkim kolektiv…”, komenton Boçi

Pas disa konsultimesh edhe me ekspertë vendas por edhe të huaj, Boçi nënvizon se ai incenerator duhet fikur.  

“Kam vlerësuar me ta të dhënat teknike të impiantit dhe analiza e rrezikut, më bind përfundimisht se Inceneratori duhet mbyllur. Së pari, ai duhet fikur. Së dyti – ai duhet hequr bashkë me malin me plehra që e shoqëron. Unë nuk mundem të shoh miqtë e mi në sy dhe të mendoj në heshtje se kur do të vdesë secili prej tyre. Ky incenerator është dënimi ynë kolektiv. Si qytetar i Elbasanit unë nuk mund të pranoj që pronat tona vetëm të humbin vlerë ndërsa qyteti braktiset dhe askush nuk i afrohet më. Si njeri politik unë nuk mund të pranoj të shoh njerëz që sa më shumë punojnë në bujqësi, aq më të varfër janë, sepse produkti i tyre konsiderohet një Helm me ngjyrë të gjelbër. Unë nuk mund të lejoj që dikush t’u bëjë njerëzve të mi një padrejtësi të tillë…”, shkruan ai

“Inceneratori duhet të fiket SOT. Inceneratori nuk mund të jetë banor i kësaj bashkie. Ose ne, ose ai”, vëren Boçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë