Politike

Siguria kibernetike, qeveria me ligj te ri: Kur ka sulme të papërballueshme, shpallet emergjenca

Gazeta Si – Sulmet më të fundit kibernetike të Iranit, që çuan në kolaps shërbimet online qeveritare dhe jo vetëm, kanë detyruar qeverinë që të hartojë një projektligj për sigurinë kibernetike.

Në draftin e hedhur për kosultim publik, parashikohet krijimi i një agjencie të posaçme për sigurinë kibernetike, në varësi të kryeministrit. Drejtuesi i saj dhe punonjësit do të kenë një rrogë nga më të lartat në Shqipëri. “Drejtori i Përgjithshëm dhe nëpunësit e njësive teknike të përmbajtjes së Autoritetit, përveç pagës sipas kategorive të pagës së përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, përfitojnë një shtesë për natyrë të veçantë pune, në masën deri në 800.000 lekë në muaj.

Foto ilustruese. Gazeta Si, 27 prill 2023

Masa e shtesës për natyrë të veçantë pune për secilën kategori përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave”, – thuhet në projektligj. Ndërkohë, për herë të parë në nismë parashikohet edhe shpallja e emergjencës kombëtare, në rast se sulmet janë të papërballueshme.

“Kur është e pamundur të shmanget një kërcënim ndaj sigurisë së informacionit në sistemet e informacionit, sigurisë së shërbimeve ose sigurisë dhe integritetit të rrjeteve të komunikimit elektronik, Autoriteti në koordinim me institucionet e tjera përgjegjëse të sigurisë dhe mbrojtjes, sipas pikës 1.1, të nenit 9, të këtij ligji, i propozon menjëherë Kryeministrit shpalljen e gjendjes së krizës kibernetike dhe masat emergjente për zgjidhjen e situatës”, – thuhet në draft.

Gjendja e krizës kibernetike shpallet për një periudhë kohore deri në shtatë ditë. Kjo periudhe mund të zgjatet në mënyrë të përsëritur, në varësi të kompleksitetit të situatës kibernetike, me miratim të Kryeministrit. Periudha maksimale e shpalljes së gjendjes së krizës kibernetike nuk duhet të kalojë 30 ditë.

Nisur pikërisht nga sulmet e shkuara kibernetike, qeveria shqiptare ka vendosur të forcojë sigurinë, duke përcaktuar ndër të tjera dhe sanksionimin me gjobë nga 1.000.000 deri në 10.000. 000 lekë për të gjitha ata që nuk raportojë problemet në rrjet.

Subjektet e tjera përgjegjëse për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjes
Ministria përgjegjëse për sektorin e energjisë dhe transportit
Ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike
Ministria përgjegjëse për sektorin e ekonomisë dhe financës
Ministria përgjegjëse për sektorin e kujdesit shëndetësor
Ministria përgjegjëse për mjedisin dhe mbrojtjen e territorit dhe funksione të tjera të lidhura me të
Ministria përgjegjëse për mbrojtjen
Ministria përgjegjëse për bujqësinë dhe funksione të tjera të lidhura me të
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI)
Institucionet e tjera përgjegjëse për ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave qeveritare
Çdo institucion tjetër publik i pavarur, që administron infrastruktura të informacionit në kuptim të këtij ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë