Treg

Një kompani private në bursën shqiptare të titujve, AMF shqyrton projektligjin

Nga Gazeta ‘SI’Një kompani private do të bëhet për herë të parë pjesë e bursës shqiptare të titujve ALSE.

Shoqëria “NOA” që operon në fushën financiare ka kërkuar të emetojë obligacione dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, AMF, po e shqyrton.

Ndonëse nuk ka më shumë detaje, mendohet se bëhet fjalë për një emetim deri në 500 mln lekë. Emetimi do të bëhet në ALSE, bursa që u licensua në vitin 2017. Tregtimi në të ka qenë me volume të ulëta dhe vetëm me titujt e borxhit të qeverisë.

Miratimi i mundshëm i kompanisë NOA për t’u futur në bursë mund të jetë një kapitull i ri për tregun financiar shqiptar dhe të shërbejë si nxitje edhe për operatorë të tjerë.

Pak kohë më parë, kreu i AMF-së, Ervin Mete sugjeroi që kompanitë shtetërore të jenë të parat që të listohen në bursën kapitale. “Emetimi prej tyre i obligacioneve me ofertë publike do të ishte një shembull i mirë për emetuesit e tjerë korporatave”, tha Mete duke shtuar se ka hapësirë përtej titujve.

Kreu i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare theksoi se, zhvillimet gjeopolitike kanë rritur nevojën për likuiditet dhe akses në kapital, duke e bërë edhe më të rëndësishëm ekzistencën e një tregu të zhvilluar kapitalesh, mirë-funksionues, eficient dhe të mirë-rregulluar.

Sipas ligjit, obligacionet me ofertë private mund të emetohen nga shoqëritë aksionere dhe të ofrohen për shitje te investitorë institucionalë dhe tek një numër prej deri 100 individësh. Në Shqipëri, këto instrumente kanë nisur të përdoren për herë të parë në vitin 2011.

Emetues të këtyre instrumenteve janë në pjesën dërrmuese bankat dhe institucionet financiare. Bankat i kanë përdorur këto instrumente sidomos në funksion të nevojës për të rritur kapitalin rregullator.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë