Ngjarje

Regjistri Kombëtar për Krime Seksuale ende nuk është krijuar/ CRCA thërret seancë urgjente në Kuvend

Nga Gazeta Si – Në 21 korrik 2022, Kuvendi ka miratuar Ligjin “Për Regjistrin e të Dënuarve për Krime Seksuale”, në 22 janar 2023, ligji hyri në fuqi.

Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) ka reaguar ditën e sotme për mos-krijimin e Regjistrit, tetë muaj pas miratimit të ligjit dhe dy muaj pas hyrjes në fuqi.

“CRCA është tepër e zhgënjyer nga mos-krijimi i Regjistrit Kombëtar të Krimeve Seksuale, tetë muaj pas miratimit të ligjit dhe dy muaj pas hyrjes në fuqi të tij”.

Në një reagim për median, CRCA shkruan se me datë 3 mars i kanë drejtuar një kërkesë Kuvendit të Shqipërisë për t’i informuar mbi gjendjen e zbatimit të ligjit dhe krijimin e Regjistrit.

“Kemi marrë vetëm një përgjigje se po vazhdon puna për krijimin e regjistrit”, thotë CRCA duke shtuar se gjatë gjithë periudhës që prej miratimit të ligjit, 8 muaj, institucionet publike, shkollat, kopshtet, spitalet, qendrat shëndetësore, të shërbimeve shoqërore, ato sportive dhe rezidenciale, kanë vazhduar të punësojnë njerëz që kanë akses tek fëmijët, pa patur asnjë dijeni nëse ndonjëri prej tyre është dënuar për krime seksuale kundër fëmijëve apo personave të tjerë vulnerabël.

Duke u shprehur të zhgënjyer nga mos-krijimi i Regjistrit, CRCA ngre edhe një pyetje për autoritetet publike: Kujt i intereson mos-krijimi i Regjistrit Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale?

Krijimi i Regjistrit është një domosdoshmëri për Shqipërinë. Ai mbron çdo fëmijë e të rritur nga dhuna, ngacmimi apo shfrytëzimi seksual. Nisur nga rëndësia që ky ligj ka për mbrojtjen e fëmijëve, CRCA i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë të thërrasë në një seancë urgjente dëgjimore Ministrin e Drejtësisë, Ministren e Brendshme dhe Agjencinë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), për të informuar se kur do të bëhet funksional Regjistri dhe kush janë përgjegjësit për mos-krijimin e tij.

“Mos-krijimi i Regjistrit në kohën e caktuar nga ligji është tregues i mungesës së përgjegjësisë së autoriteteve publike, por edhe Kuvendit të Shqipërisë, për të mbrojtur fëmijët dhe adoleshentët nga dhuna dhe krimet seksuale”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë