Drejtësia

Alarmi i krimeve seksuale ndaj të miturve, mbi 300 raste në 5 vitet e fundit

Policia e Sarandës arrestoi të premten një Kryeinspektor të policisë, i akuzuar për marrëdhënie seksuale dhe prostitucion me të mitur, ndërsa në Durrës u ndalua të shtunën një 58-vjeçar me akuzën e përndjekjes dhe ngacmimit seksual po ndaj një të miture.

Këto dy raste duket se janë vetëm maja e ajsbergut të krimeve seksuale me të mitur në vendin tonë, që sipas një raporti të Prokurorisë së Përgjithshme kanë njohur një rritje të fortë në vitet e fundit.

Shifrat u pasqyruan edhe në raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme për gjendjen e kriminalitetit në vitin 2020. Raporti thotë se në vitin e pandemisë krimet ndaj të miturve, përfshirë këtu edhe ato seksuale janë rritur me 78 për qind në krahasim me vitin 2019, duke kërcyer nga 27 në 48.

Në total, krimet me natyrë seksuale zyrtarisht në raportin e prokurorisë zënë rreth 3.5 për qind të totalit të krimeve ndaj të miturve, por shifra reale vihet në pikëpyetje nga ekspertë sociologë e psikologë për shkak të mentalitetit të shoqërisë për të mos denoncuar këto krime.

Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar ndërveprim të institucioneve përgjegjëse për trajtimin e fëmijëve duke vendosur edhe krijimin e një regjistri të posaçëm për kategoritë e fëmijëve që dhunohen. Në Shqipëri gjatë 5 viteve të fundit kanë ndodhur mbi 300 sulme seksuale ndaj të miturve, sipas Zërit të Amerikës, që citon shifrat e ofruara nga institucionet zyrtare.

Rasti i fundit në Sarandë tregoi se krime të kësaj natyre ka raste kur jo vetëm që nuk denoncohen, por ushtrohen edhe nga vetë punonjësit e institucioneve shtetërore që mes kompetencave kanë edhe mbrojtjen e të miturve.

Policia e identifikoi efektivin me inicialet P. R, 63 vjeç dhe sipas njoftimit tha se ai është arrestuar në kushtet e flagrancës, pasi ka kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur 13-vjeçare në mjediset e përshtatura për shfrytëzim prostitucioni nga një shtetas tjetër.

Policia e Sarandës tha se janë sekuestruar 2 automjete, 4 celularë dhe një vlerë monetare e dyshuar si e përfituar nga veprimtari kriminale. Policia tha se hetimi kishte nisur një muaj më parë nën drejtimin e Prokurorisë së Sarandës dhe personat e arrestuar në flagrancë akuzohen për kryerjen e veprave penale: “Shfrytëzim i prostitucionit”, “Marrëdhënie seksuale, ose homoseksuale me të mitur”, “Prostitucioni” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.

Të shtunën, policia njoftoi se një 58-vjeçar nga Durrësi ka përfunduar në prangat, pasi akuzohet se ka ngacmuar seksualisht dhe ka përndjekur një të mitur. Kanë qenë prindërit e vajzës 13-vjeçare që kanë denoncuar në polici autorin.

Ndërkohë, policia e Vlorës njoftoi të premten se arrestoi në flagrancë një shtetas 54-vjeçar, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht mbesën e tij 11-vjeçare. Policia e identifikoi personin e arrestuar me inicialet A.D, duke e akuzuar për veprën penale “Ngacmimi seksual”.

Po të premten policia e Gjirokastrës tha se arrestoi në Tepelenë një 34-vjeçar, i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një të mitur 17-vjeçare. Dy javë më parë policia arrestoi në Gjirokastër një 53-vjeçar, pasi dyshohej se në periudha të ndryshme kohore kishte kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur 16-vjeçare.

Raportimet e policisë vijnë në një kohë kur në Shqipëri vijojnë reagimet e forta të opinionit publik ndaj vrasjes brutale të një fëmije 8-vjeçar në Fier, tre ditë më parë. Policia tha se Klodian Çalamani, autori i vrasjes, u zhvendos në paraburgimin e Vlorës nën masa të rrepta sigurie pas tensioneve të familjarëve dhe një grupi banorësh në Gjykatën e Fierit, ditën kur ishte seanca e parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë