Njerez

Trafikimi me ‘dëshirë’ i fëmijëve shqiptarë – Gjysmë e vërteta britanike

Nga Gazeta Si – ‘Zhdukja’ e fëmijëve shqiptarë është një praktikë e vjetër që është përdorur për arsye të ndryshme por gjithmonë me një plan të detajuar.

Në 2019, mediat italiane shkruan se në 3 vitet e fundit, (2017-2019) ishin 1600 të mitur shqiptarë të regjistruar që kërkuan strehë, ushqim dhe përkujdesje nga shteti italian duke u deklaruar si të pashoqëruar ose “braktisur” nga prindërit e tyre.

Por nuk ishte kjo historia.

LEXO EDHE:
– Policia britanike: Bandat kriminale po rekrutojnë emigrantë nga hotelet e azilit dhe shtëpitë e fëmijëve
– BBC: 39 fëmijë shqiptarë janë zhdukur deri më tani në kampet e emigrantëve
– Ministri britanik pranon se 200 fëmijë azilkërkues janë zhdukur, 88% prej tyre shqiptarë. ‘Faji’ i mbetet Home Office

Fëmijët shoqërohen nga të afërm, miq ose vetë prindërit, të cilët më pas kthehen në Shqipëri. Djemtë simulojnë një gjendje braktisjeje duke u paraqitur në polici, për t’u përfshirë në sistemin e mbrojtjes së të miturve të pashoqëruar. Në këtë mënyrë ata kanë të drejtën e akomodimit në ambientet e pritjes dhe për të përfunduar ciklin e studimeve.

Në dhjetor të 2022, një gjyshe tentoi të “braktisë” 2 herë nipin e saj 17-vjeçar në Itali për ta lejuar të përfitonte nga benefitet që u takojnë të miturve të pashoqëruar.

Por ajo u ndalua dhe u deportua në aeroportin e Riminit. Bëhet fjalë për një zonjë shqiptare, e cila më 16 dhjetor, ishte nisur me të riun e familjes në fluturimin Tiranë-Rimini dhe kishte zbritur në pistën e aeroportit lokal “Federico Fellini”, ku në dimër ka shumë pak linja ajrore që kryejnë fluturime të rregullta dhe ku, Policia Kufitare kryen kontrolle mbi të gjitha në fluturimet që vijnë nga zona jashtë Shengenit.

Agjentët vërtetuan se gjyshja shqiptare shoqëroi nipin e saj në qytetin e Romagnas dhe më pas u largua shpejt.

Në aeroport i priste xhaxhai i të riut, i cili u përpoq të justifikonte ardhjen e të afërmve me nevojën për të lejuar djalin të shkonte në shkollë.

Policia i riatdhesoi menjëhershëm drejt Shqipërisë. Pas disa ditësh, zonja ka tentuar të shoqërojë dhe të “braktisë” 17 në portin e Barit, por edhe në këtë rast të dy janë refuzuar nga policia kufitare.

Gjithçka, vetëm që i mituri të përfitonte qëndrimin në Itali, ku në kuadër të politikave të pritjes, të gjithë të miturit e pashoqëruar kanë mundësinë e hyrjes në vend, ofrimin e shërbimeve të financuara nga Fondi Kombëtar për politikat dhe shërbimet e azilit.

“Sot kemi 40 fëmijë shqiptarë të mitur në zonën e Modenas. Ata shkojnë dhe fillimisht prezantohen si të pashoqëruar në Kuesturë ose tek forcat e rendit dhe më pas përmes shërbimeve sociale dërgohen në Komunitete”, u shpreh asokohe Giuliana Urbelli, drejtuesja e Shërbimit Social në Komunën e Modenas.

Fëmijët shoqërohen nga prindërit që më pas i braktisin.

Sipas autoriteteve italiane, Shqipëria në 2019, mbante vendin e parë për braktisjen e të miturve. Më pas vinin vende si Gambia, Siria, Afganistani, vende tejet të varfra, ose në luftë civile.

Edhe pse si problem është bërë publik më së shumti gjatë këtij viti, fenomeni ekzistonte prej kohësh.

“Il sole 24 ore” ka shkruar në 2017 se “të miturit shqiptarë mashtrojnë prej kohësh për të shkuar në shkollë të mesme në kurriz të shtetit Italian”.

Ndërsa në vitin 2015, në Emilia-Romagna, nga 587 të mitur të pashoqëruar, 374 ishin shqiptarë.

Shpesh ato kanë rënë edhe pre e trafikimit dhe premtimeve që u janë dhënë para se të nisen, për të bërë punë të detyruar.

Në Britani fillimi i historisë është njësoj, ndryshon vazhdimi

Edhe pse ligji e parashikon që të miturit e pashoqëruar duhet të dërgohen në qendra për mbrojtjen e tyre (njësoj siç ndodh në Itali), në Britani fëmijët po zhduken dhe pjesa më e madhe e tyre janë shqiptarë. Kjo po ndodh sepse fëmijët po largohen më shpejt sesa të fillojnë procedurat, nga hotelet që vendosen paraprakisht. Dhe kjo ndodh ose sepse trafikantët i marrin menjëherë sapo arrijnë, ose sepse fëmijët ikin po aq shpejt.

Fëmijët shpesh kanë rënë pre e shfrytëzimit seksual dhe trafikimit.

Sipas Agjencisë britanike të krimit, trafikantët dhe shfrytëzuesit u premtojnë të rinjve para, shumë para. U premtojnë atyre një punë, akomodim, ose rroba.

Ndërsa Steve Harvey, specialist ndërkombëtar i zbatimit të ligjit thotë se shumica e djemve dhe të rinjve shqiptarë trafikohen me shoqërimin e prindërve të tyre dhe premtimin për shpërblim financiar nga trafikantët”.

Laura Durán, drejtuese e politikave, avokimit dhe kërkimit për Organizatën Ecpat UK, tha se fëmijët janë në rrezik të shfrytëzimit ose janë trafikuar efektivisht.

“Ata mund të përballen me shfrytëzimin e punës në industri të ndryshme si ndërtimi ose lavazhet si dhe mund të shfrytëzohen kriminalisht në shpërndarjen e drogës ose në fermat e kanabisit dhe mund të shfrytëzohen seksualisht”, tha Duran.

Largimi i fëmijëve shqiptarë nga vendi ka nisur prej shumë kohësh, tani thjesht ka ndryshuar motivi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë