Njerez

Policia britanike: Bandat kriminale po rekrutojnë emigrantë nga hotelet e azilit dhe shtëpitë e fëmijëve

Emigrantët vulnerabël që jetojnë në hotelet e azilit dhe shtëpitë e fëmijëve në Mbretërinë e Bashkuar janë në shënjestër të bandave kriminale, ka paralajmëruar një shef i policisë britanike.

Emigrantët, shumica e të cilëve mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar pasi kanë kaluar Kanalin me varka të vogla, po rekrutohen nga bandat për t'u përdorur si "mish për top".

Zbulimi u bë si pjesë e një hetimi mbi bandat që qëndrojnë pas rrjetit më të madh të krimit të falsifikimit në Britani, të drejtuar nga Mançesteri.

Grupet, të lidhura gjithashtu me trafikun e njerëzve dhe drogën, besohet se përbëjnë më shumë se gjysmën e tregtisë së mallrave të falsifikuara në Mbretërinë e Bashkuar prej 8.6 miliardë £ në vit (10.57 miliardë dollarë).

Stephen Watson, shefi i policisë së Mançesterit, tha se bandat po shfrytëzonin emigrantët duke i përdorur ata për punë të paligjshme.

“Duhet të jemi të qartë se ka njerëz vulnerabël që bëhen më të prekshëm”, tha ai për Daily Telegraph.

“Njerëzit vulnerabël po shfrytëzohen nga grupet e krimit të organizuar. Ata bëhen punëtorët e tyre”, tha Watson duke shtuar se këta njerëz e kanë të pamundur të dalin nga grupet, duke u bërë përfundimisht një nga kriminelët dhe nuk do të jenë të denjë për të qëndruar në Britani.

"Ata ka të ngjarë të bëhen kriminelë dhe do të përfundojnë një barrë për shtetin për pjesën tjetër të jetës”, shtoi ai.

Watson nisi Operacionin “Vulcan” për të goditur bandat këtë vit.

Ekipi i tij ka zbuluar se anëtarët e bandave po paguajnë emigrantët e rinj dhe të rritur nga 10-20 £ në ditë për të vepruar si vëzhgues për të vëzhguar policinë dhe për të shpërndarë drogë.

Më shumë se 40,000 azilkërkues po strehohen në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar në hotele me një kosto ditore prej 7 milionë paund.

Këtë muaj u zbulua se dhjetëra fëmijë refugjatë janë zhdukur.

Në Kent, Anglinë juglindore, u zbulua se pothuajse një e pesta e fëmijëve shqiptarë janë zhdukur.

Këshilli i qarkut Kent mori 197 fëmijë të pashoqëruar nga Shqipëria në periudhën janar-tetor të këtij viti dhe, prej tyre, 39 janë të zhdukur.

Suella Braverman, Sekretarja e Brendshme, po propozon të përshpejtohet deportimi i emigrantëve shqiptarë.

Më shumë se 40,000 azilkërkues, të të gjitha kombësive, kanë kaluar Kanalin për në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla këtë vit deri më sot. Nga këta 11 mijë janë shqiptarë.

Vetëm 800 shqiptarë kanë mbërritur me anije gjatë gjithë vitit të kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë