Lajme

BBC: 39 fëmijë shqiptarë janë zhdukur deri më tani në kampet e emigrantëve

Pothuajse 20% e fëmijëve emigrantë të pashoqëruar nga Shqipëria janë zhdukur këtë vit.

Sipas një raporti të BBC, deri më 31 tetor janë futur në Britani 197 fëmijë shqiptarë dhe 39 prej tyre janë zhdukur.

Ecpat UK, e cila bën fushatë për të mbrojtur fëmijët nga shfrytëzimi, tha se shifrat ishin shumë shqetësuese. 

Por, sipas këshillit për mbroitjen e fëmijëve, disa fëmijë mund të kenë mbushur moshën madhore.

Një zëdhënës i qeverisë tha se e mori çështjen e fëmijëve të humbur "jashtëzakonisht seriozisht".

Ai shtoi se po punon "nga afër me autoritetet lokale për të siguruar mbështetjen e fëmijëve të cenueshëm".

Shifrat e qeverisë të mbledhura nga BBC tregojnë se 44,122 njerëz kanë kaluar me varka të vogla deri më tani këtë vit, krahasuar me 28,461 që mbërritën në 2021.

Kjo kontribuoi në mbipopullimin në Manston në Kent, e cila në një moment mbante më shumë se dyfishin e kapacitetit të saj, me rreth 4000 njerëz.

Ndërkohë, një plan i qeverisë për të dërguar disa azilkërkues në Ruandë është aktualisht në pritje pasi po përballet me një sfidë.

Për një autoritet vendor që merr rolin e kujdestarit të një fëmije, vetëm një i ri i zhdukur është shumë.

Për Këshillin e Qarkut Kent, të mos dihet se ku ndodheshin 39 nga fëmijët shqiptarë për të cilët ishte ngarkuar të kujdesej, duhet të jetë jashtëzakonisht shqetësuese.

Këshilli po përpiqet të identifikojë në mënyrë proaktive ata që mund të jenë në rrezik shfrytëzimi dhe, kur të gjenden fëmijët e humbur, do të kryejë një përmbledhje për të parë çfarë mund të bëhet në këto raste.

Më shumë se 12,000 emigrantë nga Shqipëria kanë arritur në Mbretërinë e Bashkuar me anije deri më tani këtë vit.

Në një deklaratë, Këshilli i Qarkut Kent tha se kishte parë një "rritje të konsiderueshme" në numrin e fëmijëve shqiptarë të pashoqëruar të referuar në shërbimet e tij.

“Ndërsa të gjithë fëmijët e pashoqëruar azilkërkues janë të cenueshëm ndaj shfrytëzimit, hulumtimi dhe përvoja dëshmon se disa kombësi janë veçanërisht të cenueshme dhe mund të zhduken nga kujdesi i autoriteteve lokale shumë shpejt. Këshilli i Qarkut Kent ka përdorur të dy protokollet mbrojtëse të vendosura, duke përfshirë Mekanizmin Kombëtar të Referimit, dhe ka iniciuar strategji të shumë agjencive për të minimizuar sa më shumë që të jetë e mundur rreziqet për këta fëmijë. Këshilli vazhdon të marrë një rol proaktiv në mbrojtjen e të gjithë fëmijëve azilkërkues të pashoqëruar”, thuhet në deklaratën e Këshillit.

Çështja është theksuar nga ministri i Emigracionit Robert Jenrick, i cili tha se në disa varka të vogla 80% e atyre që ishin në bord ishin nga Shqipëria.

Laura Durán, drejtuese e politikave, avokimit dhe kërkimit për Ecpat UK tha se ky ishte një numër "vërtet i lartë" i fëmijëve të zhdukur.

"Ne jemi vërtet të shqetësuar se ata janë në rrezik të shfrytëzimit ose janë trafikuar efektivisht. Ata mund të përballen me shfrytëzimin e punës në industri të ndryshme si ndërtimi ose lavazhet si dhe mund të shfrytëzohen kriminalisht në shpërndarjen e drogës ose në fermat e kanabisit dhe mund të shfrytëzohen seksualisht”, tha Duran.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë