Ngjarje

Ministri britanik pranon se 200 fëmijë azilkërkues janë zhdukur, 88% prej tyre shqiptarë. ‘Faji’ i mbetet Home Office

200 fëmijë azilkërkues që ishin vendosur në hotelet e Home Office janë zhdukur.

Këtë e ka deklaruar ministri i Brendshëm Simon Murray.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga deputeti Paul Scriven, Murray zbuloi shifrat, të cilat janë që nga korriku 2021.

“Home Office nuk ka fuqi të ndalojë fëmijët azilkërkues të pashoqëruar në këto hotele dhe ne e dimë se disa prej tyre zhduken. Shumë prej tyre që zhduken janë gjurmuar më pas”.

Ai tha se 88% e 200 fëmijëve, 176 ishin me origjinë shqiptare dhe tha se duhet të hiqet dorë nga përdorimi i hoteleve si një vendqëndrim “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Ka gjashtë hotele të Home Office për fëmijët azilkërkues të pashoqëruar, duke përfshirë atë në Brighton.

OJQ-të kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për fëmijët që zhduken nga strehimi dhe kanë ofruar të ndihmojnë Home Office për t'i mbajtur ata të sigurt, por qeveria i ka refuzuar këto oferta.

Philip Ishola, shefi ekzekutiv i organizatës kundër trafikimit të fëmijëve Love146, që ka paralajmëruar për rrezikun e vendosjes së fëmijëve të pashoqëruar në hotele që kur Home Office filloi t'i përdorte ato, tha se Home Office hodhi poshtë një ofertë nga një grup organizatash për të vlerësuar një hotel në Brighton.

“Kjo është më shumë se një vit më parë dhe atëherë ishte e qartë se kishte shqetësime serioze për sigurinë e të rinjve në këto hotele. Që atëherë, Home Office është paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se fëmijët po zhduken, potencialisht për t'u trafikuar dhe shfrytëzuar, megjithatë këto shqetësime janë injoruar”, tha ai.

Bella Sankey, një këshilltare në Organizatën Brighton and Hove, tha se këto fëmijë duhet të gjenden.

“Ne gjithashtu kemi nevojë për një hetim të plotë për të vendosur shkallën e plotë të përgjegjësisë politike dhe institucionale për këtë ngjarje të neveritshme”.

Enver Solomon, shefi ekzekutiv i Këshillit të Refugjatëve, bëri thirrje që të vendosen mekanizma për të lejuar autoritetet lokale që të kujdesen për fëmijët.

Policia e Sussex-it bën të ditur se kanë arrestuar dy burra të dyshuar për trafikim njerëzish pasi fëmijët që qëndronin në një hotel u panë duke u futur në makinën e tyre. Një zëdhënës i policë tha se ata nuk kishin marrë asnjë denoncim për rrëmbim.

Që kur Home Office filloi strehimin e azilkërkuesve në hotele në Brighton dhe Hove në korrik 2021, 137 fëmijë të pashoqëruar janë raportuar të zhdukur, tha zëdhënësi i policisë. Prej tyre, 60 janë gjetur dhe 76 raste mbeten në hetim.

Këshilli i Refugjatëve zbuloi në tetor se hotelet që përdoreshin për të strehuar fëmijë të pashoqëruar kishin staf që nuk ishte kontrolluar nga Shërbimi i Zbulimit dhe Ndalimit (DBS), siç kërkohet nga rregullat e qeverisë.

Sipas një raporti nga kryeinspektori i pavarur i kufijve dhe imigracionit, David Neal, inspektorët kontrolluan katër hotele të përcaktuara për të strehuar të rinjtë. Dy prej tyre u zbulua se kishin staf që nuk kontrollohej fare.

Deputetët kanë akuzuar Ministrinë e Brendshme se refuzon të marrë përgjegjësinë për fëmijët e pashoqëruar azilkërkues.

Komisionerja e fëmijëve, Rachel de Souza, i ka shkruar Suella Braverman, sekretares së Brendshme për t'i kërkuar që të ndiqet i gjithë protokolli për fëmijët e humbur, duke përfshirë njoftimin e autoriteteve për incidente të rënda.

"Jam thellësisht e shqetësuar nga rreziqet me të cilat përballen fëmijët e pashoqëruar azilkërkues të vendosur në hotele. Ne duhet ti mbështesim ato fëmijë që në momentin që shkelin në vendin tonë”, tha ajo.

“Që në momentin e parë që ka filluar zhdukja e fëmijëve kam kërkuar mbrojtje për to. Nuk mund të presim që fëmijët që janë përballur me traumën më të rëndë të lihen të kujdesen për veten si të pavarur. Atyre duhet t'u jepet kujdesi dhe mbrojtja e shtetit që nga dita e parë, derisa të mbushin 18 vjeç.

Burimet e Home Office thanë se nuk ishte "e vërtetë" që fëmijët e pashoqëruar po rrëmbeheshin nga hotelet e saj, duke thënë se ata ishin të lirë të largoheshin nga hoteli.

Megjithatë, ka pretendime se fëmijët trafikohen nga një hotel tjetër i drejtuar nga Home Office, në Kent, duke thënë se 10% e të rinjve zhduken cdo javë.

Një zëdhënës i Home Office tha se “mirëqenia e fëmijëve në kujdesin tonë është një prioritet absolut. Ekzistojnë procedura të forta mbrojtëse për të siguruar që të gjithë fëmijët dhe të miturit të jenë sa më të sigurt”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë