Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Apelit, vendosi këtë të mërkurë të lerë në fuqi dënimin me 1 vit e 3 muaj burg ish-zëvendësministren e Brendshme, Rovena Voda për akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.
Në prill 2022, ajo u dënua nga Gjykata e Posaçme së bashku dy të pandehurat e tjera, Florida Beu dhe Majlinda Hasani. Apeli konfirmoi dënimin edhe për këto dy të fundit.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi përfundimtar shkoi në 10 muaj burg, megjithatë 3 të hetuarat kanë qëndruar që prej korrikut të 2021, në masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe konvertimi i ditëve çoi në shmangien e qëndrimit në qeli.
Voda u arrestua pas disa përgjimeve telefonike dhe ambientale ku rezultoi se kishte pranuar disa dhurata në formën e një telefoni, një arke me peshk dhe 1 mijë euro, për të ndikuar në sigurimin e një vendi pune për Florida Beun.
Në përgjime Beu dëgjohej duke biseduar me Majlinda Hasanin për të gjithë procesin e dhënies së dhuratave për ish-zëvendësministren.
Vetë Voda i ka mohuar akuzat e Prokurorisë dhe pretendoi para gjykatës pafajësi, duke argumentuar se nuk provohej asnjë pretendim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.