Para

Kroacia pret rritje ekonomike nga futja në Eurozonë në 2023

Ish-shteti jugosllav ka një kohë të gjatë në ndjekje të integrimit më të ngushtë me BE-në dhe tani kalon në monedhën e përbashkët më 1 janar

Ivo Boziç, një shitës në një tezgë që shet xhingla në tregun e Krishtlindjeve në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb, është mësuar të mbajë monedha të shumta dhe mendon se nuk do të ketë pengesa kur vendi të adoptojë euron më 1 janar.

“Nëse merresh me turistë, e sigurtë që ke disa lloje valutash”, tha Boziç që shet kukulla me fustane me ngjyra, magnete për frigoriferë dhe bizhuteri artizanale.

“Unë kam llogari bankare në monedha të ndryshme dhe mendoj se do t’i bashkoj ato vitin e ardhshëm,” shtoi ai. “Sidoqoftë, disa nga gjërat e mia i kam blerë për euro.”

Kur Kroacia javën e ardhshme të bëhet vendi i njëzet që përdor euron, do të jetë një moment historik për një komb prej 4 milionë banorësh që ka kohë që përpiqet për një integrim më të ngushtë me pjesën tjetër të BE-së. Kroacia do t’i bashkohet gjithashtu zonës Shengen të Europës pa kufij.

Kalimi nga kuna duhet të sjellë përfitime, thanë ekonomistët, sepse Kroacia mbështetet në zonën e monedhës së vetme për më shumë se gjysmën e tregtisë së saj të jashtme, 2/3 e investimeve të huaja direkte dhe afërsisht 70% të turistëve të saj.

Do të jetë gjithashtu një nxitje simbolike për unitetin europian, ashtu si Rusia po përpiqet të prishë kundërshtimin e bllokut ndaj luftës së saj në Ukrainë. Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde e quajti shtesën “një votë besimi për zonën e euros” dhe tha se Kroacia do të përfitonte nga “mburoja e euros”.

Adoptimi i euros është në një farë mënyre një progres i natyrshëm për një vend ku monedha e vetme tashmë përbën gjysmën e totalit të depozitave bankare dhe 60 për qind të kredive të përgjithshme – më shumë se çdo vend jashtë eurozonës.

“Kroacia është vendi që do të përfitojë më shumë nga hyrja në eurozonë, pasi do të eliminonte rrezikun e valutës së huaj”,- tha Boris Vujçiç, guvernator i bankës qendrore kroate. “Rreziku i këmbimit valutor në Kroaci është më i larti”.

“Kur monedha juaj zhvlerësohet kundrejt euros, kjo do të thotë se borxhi juaj vlen më shumë”, -tha Vujçiç në një intervistë me Financial Times. “Pra, kostot tuaja të huamarrjes si vend janë më të larta për të pasqyruar këtë rrezik.”

Kroacia ka 27 miliardë euro rezerva valutore – 40% PBB-së së saj -, megjithëse bashkimi me euron nënkuptonte se “nuk do t’i duhej aq shumë”.

Përfitimet e euros janë “më të dukshme gjatë një krize”, theksoi Vujçiç, duke vënë në dukje presionin e fundit të shitjes mbi forintën hungareze, zloty polake dhe kronën çeke. “Atyre iu desh të ndërhynin dhe të rrisnin shumë normat e interesit dhe yield-et e obligacioneve të tyre 10-vjeçare të qeverisë tani janë 5 deri në 8.5 %,” tha ai.

Në të kundërt, yield-i i obligacioneve 10-vjeçare të Kroacisë ishte rreth 3.5 %, më i ulët se ai i Italisë dhe Greqisë dhe pak më i lartë se ai i Spanjës, edhe pse ende nuk i është bashkuar euros. “Ka një efekt të madh besueshmërie,” tha Vujçiç.

Ai pranoi rrezikun që konsumatorët kroatë do të fajësojnë futjen e euros për inflacionin e lartë, i cili muajin e kaluar arriti në 13.5%. Megjithatë, mesatarisht, vendet që kanë adoptuar euron kanë përjetuar vetëm një rritje prej 0.2 deri në 0.4 pikë përqindjeje të inflacionit, megjithëse në periudha me rritje më të ulët të çmimeve.

Për të përmirësuar transparencën e çmimeve, dyqaneve në Kroaci u është dashur të shfaqin koston e mallrave si në kuna ashtu edhe në euro që nga shtatori dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë deri në fund të vitit 2023. Bizneset janë kërcënuar me gjoba nëse kërkojnë të përfitojnë nga ndryshimi për të rritur çmimet. “

Banka qendrore, ndërkohë, ka sjellë ushtrinë për të ruajtur dhe monitoruar rreth 40% të monedhave kuna që pritet të shkëmbehen me euro.

“Ato peshojnë pothuajse sa Kulla Eifel”, tha Vujçiç. “Ne do ta shesim atë si metal pas tre vitesh dhe më pas ushtria mund t’i vendosë tanket ose automjetet e blinduara [prapa] në hapësirën e magazinimit.”/FinancialTimes


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë