Gazeta Si - Europol ka goditur një super-kartel të trafikut të kokainës, duke arrestuar 49 persona të dyshuar në 6 vende të ndryshme, duke përfshirë gjashtë "objektiva me vlerë të lartë" në Dubai.
"Trafikantët e narkotikëve të konsideruar si objektiva me vlerë të lartë nga Europoli, ishin bashkuar për të formuar atë që njihej si një organizatë kriminale që kontrollonte rreth një të tretën e tregtisë së kokainës në Evropë", tha Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim Policor.
LEXO EDHE:
- Europol: Shqipëria ende burim hashashi për BE
- Europol: Si kontrollonin shqiptarët trafikun e kokainës dhe pastrimi i parave me sistemin kinez
Sipas asaj që shkruan Europol në faqen e vet, “kjo goditje e koordinuar dërgon një mesazh të fortë për kriminelët që kërkojnë t’i fshihen forcave të rendit”, duke theksuar se “nuk ka strehë të sigurt për bosët e drogës”.
Sipas njoftimit, bëhet me dije se nuk ka shtetas shqiptarë të arrestuar, duke parë se disa prej trafikantëve më të njohur të drogës jetojnë në arrati në Dubai.
Europol ka arrestuar 49 persona gjatë këtij hetimi që përfshin Spanjën, Francën, Belgjikën, Holandën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Operacioni ndërkombëtar është rezultat i hetimeve paralele. Ndër krimet e akuzuara të anëtarëve të atij që quhet "super kartel", është edhe pastrimi i parave.
Janë mbi 30 tonë drogë të trafikuara që kanë dalë gjatë hetimeve, të cilat kanë zgjatur dy vjet, pikërisht duke pasur parasysh sasinë e madhe të lëndëve narkotike që karteli ka mundur të lëvizë.
Gjatë aksionit, "Europol lehtësoi koordinimin në kohë reale midis të gjithë partnerëve të përfshirë, duke siguruar vendime të shpejta taktike për të përshtatur strategjinë sipas nevojës, - thuhet në një njoftim. - Eurojust ofroi mbështetje gjyqësore ndërkufitare për autoritetet franceze dhe belge për këtë çështje për shtatë arrestime në të dy vendet dhe organizoi katër takime koordinuese për përgatitjen e këtyre veprimeve”.
Në fillim të shtatorit, Europol dhe Ministria e Brendshme e Emirateve të Bashkuara Arabe, nënshkruan një marrëveshje, e cila lejon oficerët ndërlidhës të zbatimit të ligjit të Emirateve të Bashkuara Arabe të vendosen në selinë e Europolit në Holandë.
Një oficer ndërlidhës nga Ministria e Brendshme e Emirateve të Bashkuara Arabe, i është bashkuar tashmë rrjetit të më shumë se 250 oficerëve ndërlidhës nga mbi 50 vende dhe organizata me një përfaqësi të përhershme në Europol.
Operacioni për të koordinuar bastisjet u quajt “Drita e Shkretëtirës” dhe ishte planifikuar për një periudhë prej dy vjetësh.
Shkatërrimi i grupit të drogës vjen pasi autoritetet në të gjithë Evropën raportojnë sasi rekord të kokainës së kapur, veçanërisht në portin belg të Anversës.
Institucionet e përfshira në aksion
Spanjë: Garda Civile (Guardia Civil)
Francë: Policia Kombëtare (Police Nationale – OFAST)
Belgjikë: Policia Gjyqësore Federale e Brukselit (Federale Gerechtelijke Politie Brussel/Police Judiciaire Fédérale de Bruxelles), Policia Gjyqësore Federale Antëerp (Federale Gerechtelijke Politie Antëerpen)
Holandë: Divizioni Kombëtar i Hetimeve Kriminale të Policisë Kombëtare dhe Njësia Policore e Roterdamit (Nationale Politie - Dienst Landelijke Recherche en Eenheid Rotterdam)
Emiratet e Bashkuara Arabe: Ministria e Brendshme
Shtetet e Bashkuara: Administrata Amerikane e Zbatimit të Drogës
Rezultatet
Spanjë: 13 arrestime + 2 objektiva me vlerë të lartë të arrestuar në Dubai
Francë: 6 arrestime + 2 objektiva me vlera të larta arrestohen në Dubai
Belgjikë: 10 arrestime
Holandë: 14 arrestime në 2021 dhe 2 objektiva me vlerë të lartë të arrestuar në Dubai
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.