Ana e errët

Europol: Si kontrollonin shqiptarët trafikun e kokainës dhe pastrimi i parave me sistemin kinez

Një model biznesi i sofistikuar. Kështu e cilëson EUROPOL rrjetin e trafikut të kokainës së krijuar nga shqiptarët nga Amerika Latine dhe më pas në Europë e deri në Dubai. “Për vite me radhë, importuesit ndërkombëtarë të kokainës punuan veçmas nga shitësit me shumicë dhe bandat që shpërndanin drogën në rrugë. Në këtë rast, rrjeti shqipfolës nën hetim hodhi poshtë të gjithë modelin dhe kontrolloi të gjithë zinxhirin e dërgesave të mëdha direkt nga Amerika e Jugut deri te shpërndarja në të gjithë Evropën.

Duke përdorur mjete të sofistikuara të koduara të komunikimit, kreu i organizatës – një shqiptar 40-vjeçar me qendër në Ekuador (Dritan Rexhepi) negocioi drejtpërdrejt me kartelet e drogës në Amerikën e Jugut, organizoi dërgesat e mëdha të kokainës në portet kryesore të Evropës dhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve të vendosur në Itali, Holandë dhe Shqipëri, organizuan shpërndarjen në të gjithë Evropën. Kokaina ishte fshehur në automjete të pajisura me ndarje të sofistikuara” shkruan Europol.

Për të pastruar paratë e aktiviteteve kriminale, grupi përdori një sistem informal dërgesash, me origjinë kineze, i njohur si sistemi fei ch’ien. Njerëzit që përdorin fei ch’ien depozitojnë një shumë në një ‘agjenci’ të këtij sistemi në një shtet. Një operator tjetër tërheq shumën ekuivalente diku tjetër në botë dhe ia kalon marrësit të synuar. Në mungesë të provave evidente, rrjeti besohet të ketë pastruar miliona euro përmes këtij sistemi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë