Rend dhe Ligj

Europol: Shqipëria ende burim hashashi për BE

Shqipëria mbetet një burim kryesor i hashashit për tymosje që trafikohet në Bashkimin Europian, ndërsa Maroku mbetet burimi kryesor hashashit çokollatë.

Europol ka publikuar raportin për vitin 2020, ku thotë se rrjetet e grupeve kriminale që kanë për aktivitet kryesor trafikun e hashashit janë të mirëorganizuar.

“Përgjithësisht këto grupe kanë një hierarki dhe strukturë me role dhe nivele të ndara mirë”, thotë raporti i Europol.

Me këtë fjali, agjencia europiane ligjzbatuese përkufizion atë që cilësohet si pjesa “inteligjente” e funksionimit të këtyre rrjeteve, rreth të cilave më pas afrohen individë dhe rrjete individësh të lidhur me aktivitete kriminale më të ashpra, deri tek vrasjet.

“Një pjesë e madhe e rasteve me plagosje të rëndë dhe vdekje lidhen me drogën, sidomos me trafikun e hashashit”, thotë Europol.

Por, përveç trafikut të hashashit që prodhohet në Shqipëri, grupet shqiptare bien në sy edhe për rolin thelbësor, sipas Agjencisë, në kultivimin e kësaj lënde narkotike në vendet anëtare të BE-së në ato që njihen si “shtëpi apo serra kanabisi”.

“Një rrjet kriminal i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë kishte marrë me qira ambiente të mbyllura në rrethinat e Barcelonës për të kultivuar hashashin, duke marrë deri në 4 prodhime brenda një viti”, thotë Europol.

Policia spanjolle ra në gjurmët e këtij grupi nga fatura e energjisë elektrike 1.5 mln euro. Nga aksioni më vonë u zbulua se shqiptarët kishin pasur një rol thelbësor në sigurimin e ndriçimit, ujit, farërave dhe pjesës më të madhe të logjistikës për kultivimin e hashashit në ambiente të mbyllura.

Europol thekson edhe për këtë vit se tregu kryesor i synuar nga grupet kriminale të trafikut të hashashit ishte Holanda. "Ne jemi në pikën e vlimit", tha drejtoresha e Europol Catherine De Bolle për AFP në një intervistë. “Ndikimi i bandave kriminale në jetën e qytetarëve, në ekonomi, në sundimin e ligjit është shumë më i madh se sa para pandemisë.”

"Një pandemi e zgjatur do të ngarkojë rëndë ekonomitë europiane dhe globale" dhe një recesion ekonomik i zgjatur do të fuqizojë krimin e organizuar për vitet që vijnë", tha raporti.

Nivelet e kokainës arrijnë kulmin

Europol tha se trafiku i drogës ishte duke nxitur korrupsionin në të gjithë BE-në. De Bolle thotë se bandat e krimit të organizuar kanë arritur deri tek zyrtarët e lartë dhe politikanët, duke arritur t’i shpëtojnë hetimeve për të gjitha krimet e rënda.

"Sasi të pashembullta të kokainës trafikohen në BE nga Amerika Latine, duke gjeneruar fitime prej miliarda eurosh për kriminelët në Europë dhe Amerikën e Jugut”, thotë Interpol.

Pastërtia e kokainës që mbërrin në Evropë ishte "në nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë në BE". “Trafiku i kokainës i nxit bandat kriminale që përdorin burimet e tyre të mëdha për t’u infiltruar dhe dëmtuar ekonominë e BE-së, institucionet publike dhe shoqërinë", tha Europol.

Bastisjet e policisë në portet kryesore të BE-së si Antwerp, Hamburg dhe Roterdam kanë cuar në konfiskime rekord duke përfshirë një dërgesë prej 23 ton kokainë nga policia holandeze dhe gjermane në fund të shkurtit.

“Pandemia gjithashtu ka nxitur nivele të rritura të dhunës dhe kriminelët tani nuk kanë frikë të përdorin armë, granata dore dhe tortura", tha De Bolle. "Kriminelët vrasin viktima të pafajshme në shkëmbime zjarri, vrasin gazetarë dhe avokatë në sulme të drejtpërdrejta ndaj demokracive tona," shtoi Komisionerja e punëve të brendshme të BE-së Ylva Johansson. Por shpërthimi i pandemisë kishte një ndikim të mëtejshëm, në mënyrën e veprimit të bandave të krimit të organizuar, tha Europol. Bizneset e dobësuara nga pandemia mund të bëhen pre e lehtë për bandat që duan të legjitimohen ose të përdorin biznese të ligjshme për veprimtari të paligjshme, të tilla si pastrimi i parave, tha Europol.

Vaksinat e rreme, krimi kibernetik

Mafia gjithashtu po i përshtatet pandemisë me lehtësi të madhe" për të përfituar nga nevojat dhe frika e shoqërisë, tha Johansson.

“Në fazat e hershme kemi parë një rritje në tregtinë e maskave dhe dezinfektuesve të rremë. Tani ne shohim një rritje në tregtinë e vaksinave të rreme dhe testeve false”, tha De Bolle.

“Këto vaksina false janë një rrezik për shëndetin tuaj. Ju nuk duhet t’i blini. ”

Pandemia gjithashtu ka rritur krimin kibernetik pasi kufizimet në shumë vende do të thotë që njerëzit duhet të jetojnë dhe të punojnë më shumë në internet, tha Europol.

Mashtrimi në internet është tani një problem i madh, duke përfshirë joshjen e përdoruesve me investimet false si dhe shfrytëzimin seksual në internet të të miturve, tha agjencia.

Bandat e krimit të organizuar gjithashtu kanë ndërmarrë "sulme të sofistikuara dhe në shkallë të gjerë për të hyrë dhe vjedhur të dhëna të ndjeshme nga biznese apo institucione të ndryshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë