Media Galeri

Temperatura të pazakonta për tetorin, deri në 30 gradë, plazhet plot në Spanjë dhe Francë

Është fund tetori, por turistët në rivierën franceze dhe në disa pjesë të Spanjës, shijojnë rrezet e diellit me rroba banje. Lokale e shezlongët janë plot dhe moti është i ngrohtë mjaftueshëm për t’u larë. Në plazhin e Nicës të paktë janë ata që ankohen për ngrohjen globale.

 “Zakonisht është më freskët dhe në këtë periudhë bie shumë shi, prandaj moti kaq i ngrohtë është i pazakontë. Unë zakonisht notoj edhe në dimër kur temperatura e ujit është 11 gradë celsius, por tani temperaturat janë 20 ose 21 gradë kështu mund të notojmë pak më gjatë”,  thotë Rozemary, një nga plazhistet e shumta.

Franca ka regjistruar temperatura 5 ose 6 gradë mbi normalen gjatë 10 ditëve të fundit.

Edhe Spanja po përjeton mot më të ngrohtë se zakonisht me temperaturat që pritet të tejkalojnë 30 gradët në qytete si Kordoba apo Sevilja, ndërsa agjencia meteorologjike kombëtare parashikon se ky mund të jetë tetori më i nxehtë që kur kanë filluar të regjistrohen të dhënat.

Në qytetin bregdetar të San Sebastian në veri, tradicionalisht i freskët e me reshje, termometri shënoi gjithashtu 30 gradë me qytetarët që mbushën plazhet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë