Politike

Fjalim si fitues i primareve, Këlliçi: Modeli “Veliaj” duhet të bjerë, bashkë për një Tiranë të re  

Në një dalje të paralajmëruar, deputeti i PD-së, Belind Këlliçi tha se pse kandidon për Bashkinë e Tiranës.

Fund e krye, me një qëndrim të impostuar, ai foli si fitues i primareve, ende pa filluar.     

“…Mbërritja në këtë vendim nuk ishte e menjëhershme, dhe ka ardhur pas një reflektimi të gjatë, pas konsultave dhe takimeve të përditshme me demokratët dhe banorët e Tiranës, në zonat e mia elektorale e kudo tjetër. Ky vendim u arrit për disa arsye, të cilat dëshiroj t’i ndaj me ju: 

Së pari, Tirana ka nevojë dramatike për ndryshim. 

Unë besoj se Bashkia Tiranë është shfrytëzuar për shumë vite nga Erion Veliaj, për pasurim të jashtëligjshëm me taksat e qytetarëve, gjobat, tenderat, lejet për ndërtim dhe inceneratorin. Veliaj e ka shfrytëzuar detyrën e kryebashkiakut të Tiranës për të blerë mbështetje politike brenda Partisë Socialiste. Në dy mandate, ai ia ka dalë që, me anë të propagandës dhe kontrollit të medias, të na imponojë një pamje false të qytetit. Me instalimin e modelit “puna diçka, dukja gjithçka”, Veliaj e ka dëmtuar rëndë qytetin. 

Tirana mund të rregullohet, dhe bashkia mund të shërbejë, edhe pa vjedhur. Ky është një model për të cilin qytetarët dhe politikanët, duhet më në fund të ndërgjegjësohen.

Tirana sot nuk ngjason me asnjë kryeqytet në Bashkimin Europian dhe as vendet fqinje…”, e filloi ai fjalën.

Këlliçi nuk harroi të përmendë edhe rrënjët e tij si djalë “tirone”

“Së dyti, si banor i Tiranës, si bir, lindur e rritur në këtë qytet, dhe si një shqiptar që është kthyer këtu për të jetuar pranë familjes, e kam të papranueshme të mbetem një dëshmitar okular i kësaj katastrofe dhe të lejoj që Tirana të privatizohet, çdo ditë e më shumë nga mafia e ndërtimit dhe pastrimit të parasë. Me ndihmën e Veliajt, mafia e betonit në Tiranë u shet shqiptarëve apartamente më shtrenjtë se kudo në Europën e afërt. Të rinjve u duhen tri jetë për të blerë një apartament dhe për të krijuar familje. Çmimet e larta të apartamenteve në Tiranë i kanë skllavëruar shqiptarët në kredi, në borxhe, deri në pikën që janë të gatshëm të paguajnë para vetëm për t’u larguar nga vendi i tyre. 

Erion Veliaj është i vetmi njeri që mund ta ketë konkuruar Edi Ramën në gjithë këto vite, për abuzimin me detyrën, për rritjen e pushtetit personal, për kapjen e mediave e shantazhin ndaj zërave kritikë, për instalimin e një modeli të mbrapshtë, i cili përfaqëson anën më të errët të Rilindjes, ku janë përzier zgjatimet më të mëdha të keqqeverisjes. 

Si i tillë, ai dhe modeli i tij antivlerë, duhet larguar një orë e më parë, pikërisht me votën e kryeqytetasve. 

Së treti, unë kandidoj në këto primare për të zgjedhurit vendorë, pasi besoj se për të administruar Tiranën duhet të fitosh si fillim besimin e forcës politike ku aderon, të anëtarëve dhe simpatizantëve të saj. Jam kundër modelit të emërimit nga kryetari i partisë, sepse e gjykoj si një model të dështuar dhe korruptiv”.

Po ku dallon ai nga Veliaj?  

“Në ndryshim nga Veliaj, ecuria ime në politikë është vetëm nëpërmjet garës dhe votës së lirë. Jam zgjedhur kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike me votën e anëtarësisë, në një garë serioze, të paprecedent, të fortë, të vërtetë, me debat publik, dhe program real. Unë e njoh dhe e pranoj verdiktin e votës së lirë, si kur fitoj ashtu dhe kur humbas. Nuk i bëj kurrë bisht garave dhe përballjes, sado e fortë të jetë ajo!

Së katërti, unë nuk kam asgjë për t’u turpëruar dhe jam krenar për rrënjët e mia, për familjen time, për zgjedhjet që kam bërë në jetë, për të kaluarën dhe të tashmen time. Unë nuk kam të vdekur në ndërgjegje, nuk kam shpikur inceneratorë për të vjedhur, nuk kam pastruar para të pista me leje-ndërtimi, nuk kam betonizuar asnjë metër katror të qytetit, nuk kam prekur kurrë asnjë fond publik, e nuk e kam futur dorën kurrë në xhepin e askujt, nuk jam në Kinë apo Indonezi kur shfaqem në ekranet tuaja, nuk retushoj foto për të fshehur malin e betonit pas shpinës sime. 

Mua nuk më lidh asgjë me këtë model të neveritshëm! 

Unë kam vetëm një fytyrë, si për ata që më njohin dhe për të tjerët që do të më njohin. Këtë e dinë demokratët, bashkëpunëtorët dhe 11,601 votuesit e mi nga e gjithë Shqipëria, që jetojnë në Tiranë”. Këlliçi nënvizoi më tej:

“Vendosem në dispozicion të plotë të Partisë Demokratike, demokratëve të Tiranës dhe koalicionit të Opozitës së Bashkuar, për t’i përfaqësuar me dinjitet në garën e primareve. Mbështetja juaj për mua është besa që më jepni, dhe me besë do t’jua kthej.

Unë dua të dal përballë Erion Veliajt dhe bashkë me ju, ta mundim me votë modelin e tij të gënjeshtërt, që të bëjmë transparencë për të gjitha vendimet e tij si kryebashkiak, nga 2015-a deri më sot. Bashkë na duhet një angazhim i madh për të sjellë këtu një model krejt tjetër. Një model që i shërben njerëzve edhe nëse ata janë në periferi, edhe nëse nuk kanë truall për ndërtim, edhe kur nuk kanë miq në bashki”.

Për Këlliçin s’ka më kohë: “Ky model duhet të bjerë”! 

“Në ditët në vijim do të kem një program të plotë, një alternativë që do të konsolidohet rrugës nga dëgjimi nga afër i të gjithëve.

Ne e kemi fuqinë të sjellim ndryshimin, sepse kjo fuqi është në dorën tuaj, është tek vota juaj.

Mezi pres të punoj nga afër me demokratët në këto primare. Dhe nëse ata më japin besimin, më tej, me të gjithë qytetarët e Tiranës, pa përjashtim me të gjithë, do ta shkruajmë së bashku Alternativën e Ndryshimit, Programin e Qeverisjes së Mirë, Idenë për një Tiranë të re që KURRE nuk mendon ta zhbëjë traditën, Vizionin e një kryeqyteti që është në krye sepse e kanë vënë aty të gjithë shqiptarët, nga Veriu në Jug, nga Perëndimi në Lindje”. 

Në fund një ftesë për të gjithë të majtë e të djathtë dhe pa bindje. 

“Unë jam një kandidat i demokratëve, por u shtrij dorën të gjithë qytetarëve, nga qendra e në periferi, kudo, në cdo rrugë, lagje e njësi, sepse Tirana duhet të jetë e të gjithëve!”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë