Politike

A është Belind Këlliçi ‘primari’ i Metës për Tiranën?    

Kur Ilir Meta ishte President dhe ai deputet, në oborrin e selisë blu po protestohej brenda llojit. Ai kundër Bashës e Meta në cepin tjetër të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. “I kërkoj falje Z.Belind Këlliçi, po nxjerr bisedat. Pashë makinat atje në oborr dhe mora në telefon Belind Këlliçin. Ai s`ma hapi telefonin. Më shkruajti më vonë: Zoti President, isha në një takim me të rinjtë. I thashë, mos prekni asnjë makinë se do merret për provokim. Po, po më thotë, – s`bëhet fjalë”.

Për shumë kënd që nuk e pëlqente presidencën e Ilir Metës, shkëmbimi i mesazheve në protestën e 8 janarit të këtij viti u pa si ndërhyrje e pastër e Metës në politikë. E parë sot, ajo merr një kuptim tjetër.

Një ditë para marrëveshjes zyrtare PD- PL, Ilir Meta shkoi në zyrën e Berishës për t’i thënë se ai ka rënë në paqe me primaret e doktorit.

Meta më vonë tha se PL nuk kishte një emër nga të vetët për Tiranën. Por nuk tha nëse ai kishte një emër preferencial nga të PD-së. Meta deri diku e lëshoi shashkën se ai i kishte propozuar Berishës një emër për Tiranën ‘një super politikan”, por e spërdrodhi idenë se ishte për kreun e “kuvendit” të Bashkisë. Thënë shkoqur për një burokrat që do të drejtonte këshillin bashkiak të Tiranës.

A mund të lakmojë kaq Ilir Meta nisur nga ambiciet e tij politike e për më tepër Tiranën, aty ku ai do të diktojë gjithë betejën politike ndaj Veliajt për shumë arsye që lidhen me vete atë? Jo. Burime nga PD-ja thonë se Meta e ka një emër të parapëlqyer, për më shumë se aq, (vetë Tiranën): Belind Këlliçin.

Një person marrëdhëniet me të cilin në gjithë harkun kohor një vjeçar kanë qenë të paqta në mos ndërmjetësi i mesazheve politike tek PD-ja kur Meta i shihte nga zyra e Presidencës.

“E përgëzoj kandidatin Belind Këlliçi për kapjen në flagrancë të ’rilindasve’ të Vaqarrit, me ushqime dhe zarfa elektorale”, shkruante Ilir Meta në fushatën e zgjedhjeve të 2021-it.

Këlliçi gjithashtu nuk mbeti pas. Në muajin korrik, pak para se të linte zyrën e Presidentit, Këlliçi tha se Ilir Meta ishte një politikan “race” një “aset” në politike dhe se ishte i mirëpritur të zbriste në ring bashkë me Berishën kundër Ramës.

Me po aq siguri ai foli edhe kur u pyet nga media nëse Ilir Meta do t’i bashkohej protestës së fundit të thirrur nga Partia Demokratike.

Belind Këlliçi ishte i qartë për vendimet e Ilir Metës edhe kur foli mbrëmjen e fillim tetorit se pakti me Partinë e Lirisë ishte arritur. Atëherë kur pak kush dinte gjë.

Meta do të synonte këshillat bashkiak dhe PD-ja kryebashkiakët.

Ai që nuk e ka thënë fjalën është Sali Berisha i gjendur në presionin e një kandidati me profil politik dhe një tjetri jashtë saj siç po vërehet në rastin e Ilir Alimehmetit i mbështetur nga sondazhet, por jo nga lidershipi i partisë.

Është ai që i vë vulën, sigurisht nën pretekstin  e “primareve”, në emër të së cilës po flasin të gjithë,  ani pse në korridore gëlojnë me emra preferencialë. Meta të paktën e lëshoi ’asin’ e vet.  / N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë