Politike

Berisha nga Libohova: Zgjidhni kandidatin që doni vetë

Në një takim me banorë të Libohovës, Berisha tha se vendi ndodhet në një situatë më kritike se ai i vitit 1991.

‘Ky mision sot është më i rëndësishëm se ai që kishim në vitin 1991. Në vitin 1991, ne e bëmë punën tonë, por diktaturat komuniste po binin njëra pas tjetrës se duhet të jemi realistë.

Kurse sot kemi një regjim që në rrafshin e pushtetit, ka 10 përqind më shumë se sa kishte Ramiz Alia. Ka të gjitha pushtetet”, tha ai.

Duke atakuar kryeministrin Edi Rama si në planin e brendshëm ashtu edhe të jashtë, Berisha kërkoi që njerëzit të reagojnë.

“Ne duhet të ngrihemi. Duhet të bëjmë gjithçka që Libohova siç ka qenë, demokratike.

Ju garantoj se ju do zgjidhni, ju ne. Ju do zgjidhni kandidatin për qytetar të parë. Ne premtuam ndryshimin, dhe ky është ndryshimi që sjellim ne. Do jeni ju, jo ne, që do votoni për kryetarin që doni.

Ama një gjë po u them: nëse lypset një seriozitet absolute nga ne, është ai për votën. Nuk ka shoqëri në botë që zhvillohet pa votën e lirë. Ajo është çelësi.

Ndaj dhe ne, me votën tonë të lirë, të zgjedhim kandidatët. I zgjidhni ju, ai ka detyrime ndaj jush. Në këtë mënyrë bëjmë hapin e dytë demokratik, ku i zgjedhuri përfaqëson atë që e ka votuar. Dhe jo siç ndodh sot, ku ka deputetë për të cilët nuk ekzistojnë qytetarët. Si nuk ndalin njëherë të mbrojnë një interes të fermerëve, të barinjve, të pensionistëve, të të rinjve. Asnjë. Po i kritikove qeveritarët, po ua kritikove një ministër, ngrihen 5 për t’i dalë zot.

Ne duhet t’i japim fund kësaj situate. Ndaj ju ftoj të merrni pjesë në primare, të zgjidhni kandidatin që doni, ju garantoj se ne do respektojmë votën tuaj”, tha Berisha


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë