Ne rrjet

Ditëlindja më e keqe e Vladimir Putinit, e transformoi Rusinë siç askush nuk do ta imagjinonte

Presidenti rus mbush 70 vjeç këtë të premte dhe nuk është shfaqur kurrë kaq i dobët politikisht: edhe pse mbetet i bindur se kjo nuk do të jetë ditëlindja e tij e fundit në pushtet, situata e tij duket gjithnjë e më e pashpresë

Gazeta Si - Kur presidenti rus Boris Yeltsin njoftoi në gusht të vitit 1999 se kryeministri i tij i ri dhe pasuesi i presidencës do të ishte Vladimir Putin, miliona rusë nuk e kishin idenë se kush ishte ai.

As gazetarët vendas apo shumë korrespondentë të huaj nuk e njihnin mirë. Ata e dinin që Putin ishte emëruar në krye të FSB-së një vit më parë, pra shef i inteligjencës, por nuk kishin pasur marrëdhënie me atë burokrat të errët, për të cilin nuk ishte folur kurrë deri atëherë. Në pak muaj, Putin do të bëhej president dhe do të ndryshonte Rusinë.

Këtë të premte, presidenti rus Vladimir Putin do të festojë ditëlindjen e tij të 70-të në një atmosferë që nuk është aspak festive.

Jo shëtitje në Siberi, kalërim në stepa apo lojëra hokeji me personazhe të tjerë të famshëm si në të kaluarën, por një takim i matur në Shën Petersburg me krerët e fundit të qeverive që kanë mbetur aleatë.

Rrallëherë Putini është shfaqur kaq i dobët politikisht, siç shkroi sot gazeta e pavarur ruse, "Moscow Times".

Lufta po përkeqësohet, rajonet e reja të aneksuara po ripushtohen pjesë-pjesë nga ukrainasit dhe togerët e regjimit të tij po ndahen gjithnjë e më shumë dhe janë jashtë kontrollit.

Presidenti rus nuk ka zgjidhje tjetër, veçse të festojë hyrjen e tij në dekadën e tetë të jetës së tij me një sërë kërcënimesh bërthamore që duken gjithnjë e më të dëshpëruara.

NJË JETË NË PUSHTET

I lindur në Shën Petersburg më 7 tetor 1952, Putin bëri një karrierë në shërbimet sekrete sovjetike, KGB-në famëkeqe dhe u zgjodh si pasardhës nga presidenti i atëhershëm Boris Jelcin në vitet e trazuara pas rënies së regjimit komunist.

I zgjedhur si kryeministër në vitin 1999 dhe i zgjedhur president vitin epaardhës, Putin ka qenë në pushtet për më shumë se njëzet vjet tashmë.

Gjithmonë një lider autoritar dhe alergjik ndaj çdo forme opozitare që nuk kontrollohet me kujdes, vitet e fundit dhe veçanërisht pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, Putini ka shtrënguar kontrollin e tij, duke e kthyer Rusinë në një dikaturë të vërtetë.

Regjimi i tij bazohet në silovikët, drejtuesit e aparatit të sigurisë të zgjedhur kryesisht nga ish-kolegët e tij të KGB-së, veçanërisht ata nga zyrat e Shën Petersburgut, bastioni i pushtetit të tij.

Oligarkët e mëdhenj, industrialistët e pasur në epokën kaotike të privatizimit të viteve 1990, ranë dakord të mos angazhoheshin në politikë në këmbim të qetësisë së menaxhimit të punëve të tyre.

Një shkëmbim që, në heshtje, Putini e bëri me popullsinë ruse në përgjithësi. Dhe gjithashtu falë një përzierjeje të represionit gjithnjë e më të ashpër dhe, deri pak vite më parë, rritjes ekonomike dhe stabilitetit, është një shkëmbim që ka funksionuar. Deri me sot.

BAST I GABUAR

Pushtimi i Ukrainës më 24 shkurt, e tronditi deri në themel regjimin e Putinit dhe vendimi i fundit për të nisur një mobilizim "të pjesshëm" për të furnizuar me trupa të reja ushtrisë së përgjakur ruse, ka shkaktuar protesta në të gjithë vendin dhe qindra mijëra qytetarë të ikur, duke përfshirë disa nga profesionistët më të mirë të arsimuar dhe të trajnuar në vend.

Putini e ka ndërtuar imazhin e tij si president i suksesshëm mbi sukseset ushtarake dhe rikthimin e Rusisë në madhështinë e së kaluarës.

Tani që humbjet ushtarake dhe izolimi ndërkombëtar hedhin dyshime mbi këto rezultate, çarjet në kështjellën e Putinit po shumohen.

Duma, parlamenti rus, ka filluar të diskutojë mundësinë e shkarkimit të shefit të shtabit të ushtrisë Valery Gerasimov.

Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu tani sulmohet hapur nga ekspertë ushtarakë, të ftuar në emisione bisedash dhe madje edhe nga zyrtarë të regjimit (dje nënkryetari i rajonit të pushtuar Kherson, e ftoi atë të bënte vetëvrasje).

Tani për tani, në një dinamikë klasike regjimesh autoritare, kërkimi i fajtorëve të kësaj fatkeqësie, përqendrohet te "këshilltarët e këqij të Carit".

Por në një regjim autokratik, ku çdo vendim kalon nga lideri suprem, është një ushtrim retorik. Të gjithë e dinë mirë se kush mban përgjegjësinë më të madhe për fatkeqësinë që ka goditur vendin.

SHPRESA E FUNDIT

Megjithëse dinamika e brendshme e Kremlinit mbetet misterioze edhe për vëzhguesit më të mprehtë dhe askush jashtë rrethit të brendshëm të silovikëve nuk ka qasje në mendimet private të Putinit, shumica e ekspertëve argumentojnë se Putini mbetet i bindur se kjo nuk do të jetë ditëlindja e tij e fundit në pushtet dhe se do të dalë fitimtar nga kjo situatë.

"Putini është i sigurt se në planin afatgjatë do të marrë atë që dëshiron nga Perëndimi dhe se situata në frontin ukrainas është e rëndësishme, por nuk është faktori vendimtar", tha për “Associated Press” Stanislav Belkovsky, një konsulent politik me shumë kontakte në klasën sunduese ruse.

Basti i tij, është që Perëndimi dhe NATO së shpejti do të lodhen duke mbështetur Ukrainën dhe do t'i kthehen negociatave me Rusinë për të rivendosur furnizimet me energji elektrike.

Në atë pikë, Putini shpreson të ruajë status quo-në me rreth një të pestën e Ukrainës së pushtuar dhe të planifikojë me qetësi lëvizjen e tij të ardhshme.

Pikërisht sot, me rastin e ditëlindjes së tij, Patriarku Ortodoks Kirill, u kërkoi rusëve të luten për shëndetin dhe fatin e presidentit të tyre. Asnjëherë më parë nuk dukej se Putini kishte vërtet nevojë për të.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë