Një muze i patëdytë në botë, i mbushur me artefakte që kanë formësuar historinë, por dyert e tij janë të mbyllura për publikun. Mirë se vini në muzeun sekret të CIA-s!
I vendosur në selinë e Agjencisë së Inteligjencës amerikane në Langley, Virginia, koleksioni i këtij muzeu sapo është rinovuar për 75-vjetorin e Agjencisë. Një grupi të vogël gazetarësh, përfshirë BBC-në, iu dha aksesi ekskluziv, megjithëse me një eskortë sigurie që i shoqëronte kudo.
Nga 600 artefaktet e ekspozuara, përfshihen pajisje të ndryshme të spiunazhit të Luftës së Ftohtë. Një “mi i ngordhur” në të cilin mund të fshihen mesazhet, një kamerë e fshehtë brenda një pakete cigaresh apo një pëllumb me kamera sekrete.
Gjithashtu, në këtë muze gjenden edhe detaje mbi disa nga operacionet më të famshme të CIA-s, si p.sh ai i vrasjes së Osama bin Laden në Pakistan në vitin 2011 apo e udhëheqësit të ri të al-Kaedës, Ayman al-Zawahiri, në korrik 2022.
Çdo gjë ekspozohet në muze në rend kronologjik që nga themelimi i CIA-s në 1947, Lufta e Ftohtë, sulmet e 11 shtatorit 2001, operacionet antiterroriste etj. Audienca e muzeut është vetë stafi i CIA-s, si dhe vizitorët zyrtarë.
Megjithatë, duhet thënë se muzeu nuk fokusohet vetëm te suksesi i CIA-s. Ekziston një seksion ku shfaqen edhe dështimet e tyre, si p.sh misioni për të rrëzuar Fidel Kastron në Kubë.
“Ky muze nuk është vetëm një muze për hir të historisë. Ky është një muze operativ. Ne iu tregojmë oficerëve të CIA-s, duke eksploruar historinë tonë, si të mirat ashtu edhe të këqijat. Sigurohemi që ata të kuptojnë historinë e tyre, në mënyrë që të mund të bëjnë një punë më të mirë në të ardhmen. Ne duhet të mësojmë nga sukseset dhe dështimet tona, në mënyrë që të jemi më të mirë në të ardhmen”, tha Robert Z Byer, Drejtori i Muzeut.







Një armë e gjetur pranë trupit të Osama bin Laden kur ai u vra, gjendet në këtë muze

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




